Osmani: Kosova ka histori të trishtë dhe sfiduese|Video
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Osmani: Kosova ka histori të trishtë dhe sfiduese|Video

Fadil Sertolli / RTKlive

(E Plotësuar) Presidentja Osmani tha se Kosova ka histori të trishtë dhe sfiduese, por edhe vendosmëri për një të ardhme më të mirë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian ka rrëfyer historinë e Kosovës nëpërmjet fateve personale të: Vasfije Krasniqit, Fahrije Hotit, Blerta Bashollit, Egzon Sylës, Hana Qerimit dhe gazetares ukrainase Liudmyla Makei, të cilët janë pjesë e delegacionit të Presidentes në këtë adresim. 

 “Historitë individuale të gati 2 milionë njerëzve, e bëjnë Kosovën suksesin që është sot”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Gjatë prezantimit të delegacionit, Presidentja Osmani, spikati të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës nëpërmjet rrëfimeve jetësore të anëtarëve të delegacionit.

“Ky është përfaqësimi i vërtetë i Republikës sonë të dashur – që përfaqëson historinë e trishtë dhe sfiduese të Kosovës, si dhe frymën e qëndrueshmërisë, këmbënguljes dhe vendosmërisë që është një premtim për një të ardhme më të madhe”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Presientja Osmani tha se Vasfije Krasniqi Goodman ishte ajo që e kuptoi se plagët thellohen në heshtje.

“Sot ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani.

 Më tej, në adresimin e saj, Presidentja Osmani shpalosi edhe fatin jetësor të znj.Fahrie Hoti.

“Ajo e ktheu pikëllimin në motivim, ajo e ktheu dhimbjen në vendosmëri”, shtoi presidentja Osmani.

Veprimet e saj, sipas Presidentes Osmani, jo vetëm që shpëtuan jetën e qindra grave në fshatin e saj, por historia e saj frymëzoi edhe filmin “Zgjoi”, të regjisores Blerta Basholli.

Duke folur për një të ardhme më të mirë, Presidentja veçoi rrëfimin e suksesshëm të Hana Qerimit, bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, dy kompani, të cilat janë etabluar në tregun evropian me punën që bëhet në Kosovë.

Historitë e këtyre njerëzve, sipas Presidentes Osmani janë mishërimi i qëndrueshmërisë.

Në këtë kontekst, Presidentja përmendi angazhimin e Egzon Sylës, nga kontingjenti i Kërkim-Shpëtimit në FSK, i cili ka udhëhequr ekipin në përpjekjet e shpëtimit nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Turqi.

“Sot, një 2-vjeçar si dhe të tjerë janë ende gjallë për shkak të Egzonit dhe ekipit të tij. Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre tregon shpirtin e vërtetë të popullit të Kosovës: atë që nuk dorëzohet kurrë dhe që jep gjithmonë”, tha Presidentja Osmani.

Në fjalimin e saj, Presidentja prezantoi edhe rrëfimin e Liudmyla-n. Liudmyla Makei, gazetarja e parë ukrainase që u prit në Kosovë si pjesë e Programit të Gazetarëve në Rezidencë në Kosovë të nisur nga institucionet kosovare në mbështetje të kauzës së tyre për të mbrojtur të vërtetën.

“Populli im e njeh edhe ndjenjën e pakrahasueshme të lirisë dhe paqes. Dhe, shpresoj se populli i Ukrainës së shpejti do t'i përjetojë këto ndjenja ndërsa e fiton luftën ndaj agresionit të Rusisë”, ka thesuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Osmani: Evropa është destinacion i yni

11:50 / 14.06.2023/ Fadil Sertolli / RTKlive

Presidentja Osmani në Parlamentin Evropian: Presidenti Rugova dikur kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të popullit të shtypur, sot Evropa është destinacion i yni

Në adresimin e saj në sesionin plenar të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmendi fjalët emblematike të  presidentit historik, dr.Ibrahim Rugova “Liri, Pavarësi, Demokraci”.

Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.

“Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka theksuar Presidentja Osmani para eurodeputetëve në adresimin e saj.

Përgjatë adresimit të saj, Presidentja Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t'u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t'ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”, është shprehur ndër të tjera Presidentja Osmani.

Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.

Presidentja Osmani fjalim në PE

11:37 / 14.06.2023/ J.Musliu/RTKlive

Është hera e parë që një president i Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur, i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.

Presidentja  Vjosa Osmani, iu drejtua sot me një fjalim, Parlamentit Evropian. Fjalimin e mbajti me ftesë të presidentes së këtij parlamenti, Roberta Metsola.

Presidentja Osmani do t’i adresohet deputetëve të Parlamentit Evropian lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për vendin që nga vitet e 90-ta.

Paraprakisht, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

Ky adresim i Osmanit do të jetë i pari që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.


MË SHUME NGA Lajme