Sveçla: Ky akt është një hakmarrje për arrestimin e kriminelit Llune
BKT
Foto: Edona Podvorica
Lajme

Sveçla: Ky akt është një hakmarrje për arrestimin e kriminelit Llune

M.Miftari/RTKlive

(E plotësuar, ora: 17:59) Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pasi ka arritur në Bare, në vendin ku janë kidnapuar tre policët kufitarë të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë, ka deklaruar se policia apo ushtria e Serbisë është futur në brendi të territorit të Kosovës rreth 600 metra.

“Më treguan se policia apo ushtria e Serbisë është futur 600 metra brenda territorit të Kosovës e pastaj kanë vazhduar në grupe të ndara në këmbë dhe janë futur diku rreth një km brenda territorit të Kosovës dhe kanë kidnapuar 3 zyrtarë policorë nga Njësiti për Mbikëqyrje të Kufirit, të cilët, edhe me vetë deklarimin e autoriteteve të Serbisë, janë të arrestuar”, deklaroi Sveçla, duke shtuar se “ky akt, për ne dhe për botën demokratike, është një incident i rëndë”.

Ministri Sveçla, tutje, shtoi se ky akt është bërë në shenjë hakmarrjeje për arrestimin e kriminelit Llune.

“Serbia qartë po mundohet ta minojë rrugën tonë drejt shtet-ndërtimit të plotë, shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, që absolutisht s’do t’ia dalë, as të na ndalë e as të na sprapsë, sepse ne jemi në të drejtën tonë dhe do të veprojmë sipas ligjit”, teksa akuzoi Serbinë, e cila "vazhdon të rrezikojë jetën e zyrtarëve tanë, por edhe të qytetarëve tanë".

Ministri Sveçla bëri të ditur se, pikërisht, në pikën kufitare në Merdare, po arrestohen qytetarët tanë .

“Kemi informacione paraprake për arrestime të qytetarëve tanë në pikën kufitare në Merdare”, deklaroi Sveçla.

(E plotësuar) Ministri Sveçla viziton pikën kufitare në Jarinjë, vazhdon për në Bare

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka arritur në pikën kufitare në Jarinjë. Ai u nis me urgjencë për atje, pas kidnapimit të tre policëve kufitar të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë.

Pas ndalimit në Jarinje, ministri Sveçla menjëherë e ka vazhduar rrugën për në Bare, në vendin ku janë kidnapuar tre policët kufitar të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar më herët se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për  të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas kidnapimit të tre policëve kufitare të Kosovës, nga ana e Njësisë Speciale të Policisë së Serbisë. Ai tha se hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 


MË SHUME NGA Lajme