Reagimi i Klan Kosovës pas kallëzimit penal të MINT-it
N.M. /RTKlive
(E plotësuar) Pas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, i shpejtë ka qenë reagimi i Klan Kosovës.
“Klan Kosova shpreh shqetësimin lidhur me njoftimin e orëve të pasdites të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se e njëjta ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj KLAN KOSOVA SHPK, si dhe se është marrë vendim për atë që e kanë quajtur “pezullim të certifikatës së biznesit”, thuhet në këtë reagim.
Klan Kosova bënë të ditur se është njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim rreth orës 18:00, kurse deri në këto çaste nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria.
“Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.
Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë”, thuhet në këtë reagim.
“Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në fund të këtij reagimi.
MINT thotë se ka bërë kallëzim penal ndaj “KLAN KOSOVA” SHPK

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar, përmes një komunikate, se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër. Për vendimin e ARBK-së, është ftuar në takim dhe është njoftuar pala, përkatësisht pronari i Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Sipas MINT, raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të kësaj ministrie.
“Si rrjedhojë, MINT ka bërë të gjitha angazhimet e nevojshme dhe menjëherë ka ndërmarr masat e qartësimit të brendshëm të gjendjes. Sipas të dhënave të shpërfaqura nga i gjithë procesi i regjistrimit e më pas transaksioneve tjera të shitblerjes së Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, rezultojnë dyshime serioze të keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarë të ARBK-së, por edhe dyshime për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike nga persona përgjegjës të kompanisë”, thuhet në komunikatë.
Andaj, për të adresuar mirëfilli përgjegjësitë, MINT thotë se ka dorëzuar në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës kallëzim penal në mënyrë që e vërteta rreth kësaj çështjeje të vërtetohet në proces gjyqësor dhe keqpërdoruesit potencial të përgjigjen para organeve të drejtësisë sipas normativave ligjore në fuqi.
“MINT shpreh besimin e plotë se Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, do të veproj në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim dhe pret me vëmendje maksimale dhënien dhe marrjen e veprimeve të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse. Çdo veprim i Departamentit të Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë në respekt të ligjit, është përgjigje ndaj abuzuesve dhe personave përgjegjës për ndërmarrjen e veprimet në kundërshtim me dispozitat ligjore”, thuhet në këtë njoftim.
MINT, deklaron se shpreh gatishmërinë e plotë, për të mbështetur gjithë veprimtarinë e Departamentit të Krimeve të Rënda gjatë këtij hetimi dhe për të dhënë çdo shpjegim që do të vlerësohet i nevojshëm për të zbardhur të vërtetën e plotë rreth kësaj çështjeje.
























