Caktohet masa e paraburgimit ndaj Milenkoviçit
V.Thaçi / RTKlive
Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special njofton se ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit Milun Milenkoviç, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje.
Sipas Gjykatës “i pandehuri M.M dyshohet se me datë 06.12.2022 në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, në Zyret e Komisionit Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, përderisa zyrtarët e KQZ-së me zyrtarët policor kishin shkuar për të hapur zyrën, i pandehuri M.M së bashku me persona tjerë kishin hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba me ç’rast njëra njëra granatë dhe dy shok bombat kishin shpërthyer dhe si rezultat i kësaj, ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe ishte rrezikuar jeta e zyrtarëve të KQZ-së dhe zyrtarëve policor”.
Lidhur me kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit, Gjykata Themelore ka vendosur për shkak të të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, paraburgimi është caktuar në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPP-së, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste në bashkëkryerje nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim po ashtu thuhet se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndryshe Policia e Kosovës dje ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune.























