Analistët: Serbia dëshiron të ketë një tensionim të situatës|Video
M.Miftari/RTKlive
Për zhvillimet politike në vend, e sidomos kjo e fundit, arrestimi i policëve të Kosovës brenda territorit nga policia e Serbisë, pastaj sanksionet e BE-së karshi Kosovës, si dhe anulimi mbledhjes së Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, bartësit e institucioneve të Kosovës duhet të ndryshojnë qasjen dhe të jenë në koordinim me ndërkombëtarët.
Dajana Berisha, lidhur me ngjarjen e sotme tha se e gjithë qeveria duhet të jetë në këmbë, jo vetëm kryeministri e ministri i Punëve të Brendshme, por të gjithë ministrat, për të treguar se ky vend ka zot.
“Qeveria duhet të ulet të shikojë pozicionin e saj në raport me ndërkombëtarët, të koordinohet me ta e, sidomos, me Shqipërinë”, deklaroi ajo, në RTK Prime.
E lidhur me qasjen e kryeministrit karshi ndërkombëtarëve, Berisha u shpreh kritike për një qasje izolacioniste, që për të ngre pikëpyetje të mëdha.
Ndërsa profesor Flamur Hyseni veprimin e sotëm të policëve të Serbisë e cilësoi si cenim i integritetit të territorit tonë. Por duhet theksuar se statusi i Kosovës është shtet në bërje dhe ne duhet ta dimë se ende nuk kemi kufi shtetëror, por kufi administrativ, e trashëguar nga ish-Jugosllavia.
“Pjesa e tërë vijës kufitare mes Kosovës e Serbisë do të duhej definuar në një marrëveshje finale të ashtuquajtur marrëveshje e paqes ose marrëveshje e fqinjësisë së mirë bën që këto ndërhyrje, që nuk janë të para, janë një paralajmërim se Serbia, jo që nuk do marrëveshje serioze me një shtet siç është i yni, por dëshiron të ketë një tensionim të situatës”, deklaroi profesori Hyseni, derisa shprehu habinë se ndonëse kemi deklarim të shtrirjes së sovranitetit, kemi cenim të saj.
Lidhur me situatën e tanishme në veri, profesor Hyseni vuri në dukje se Serbia ka arritur ta mbajë aktiv për tërë këto vite veriun e Kosovës, me veprime të ndryshme.
E lidhur me shtrirjen e sovranitetit të vendit dhe integritetin territorial në kohë bashkëkohore të këtyre integrimeve ndërkombëtare, profesor Hyseni theksoi se ne Kosova ende nuk ka kapacitete për ta ushtruar këtë, por, sipas tij, kjo mund të bëhet me ndihmën e miqve ndërkombëtarë e sidomos të Shqipërisë.
Ndërkaq kryetari i Lëvizjes për B bashkim, Valon Murati, lidhur me ngjarjen e sotme, tha se ky akt nuk mund të shihet jashtë konteksti të krejt zhvillimeve, jo vetëm të fundit, por në gjithë marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë.
Ai më tej shtoi se veriu i Kosovës është një prej çështjeve kryesore të pazgjidhur.
“Është një situatë specifike që kërkon zgjidhje”, tha Murati në RTK Prime, derisa shtoi se problemi i veriut nuk është problem i bandave, por problem politik.
“Ky nuk është problem i bandave, se ne po e mashtrojmë opinionin. Atje Kosova nuk po arrin ta shtrijë legjitimitetin, jo për shkak të bandave, por për shkak të vullnetit të serbëve atje”, deklaroi Murati, ndërsa shtoi se problemet me bandat janë nënprodukt.
Murati tutje, kritikoi Kurtin e Vuçiqin të cilët, sipas tij, kanë pranuar një marrëveshje të cilën nuk janë në gjendje ta zbatojnë.
“Kryeministri Kurti nuk e bën asociacionin, sepse do të ishte fundi i tij për vetveten, ngase për këtë ia ka shti flakën Kosovën. Kjo ka çuar në përplasje”, deklaroi Murati, derisa sqaroi se shtetësia e Kosovë nuk rrezikohet, sepse, shtoi ai, është projekt, por është e mjaftueshme që rrezikohen këto marrëdhënie për shkak të papërgjegjësisë së politikës vendore.
Lubonja: Rama duhej të bëhej krah i Kosovës
Për pozicionimin e kryeministrit Rama karshi Kosovës, Lubonja së pari vuri në pah hartimin e draft-statutin për Asociacionin, që nuk dihen autorët, për më tepër, theksoi ai, pa u konsultuar fillimisht me Kosovën, sepse Shqipëria, u shpreh Lubonja, nuk ka rolin e Borrellit, sepse edhe me Kushtetutë duhet të jetë afër Kosovës.
“Rama do të duhej konsultuar paraprakisht me Kurtin për ta bindur se kjo është një punë e mirë”, deklaroi Lubonja, derisa shtoi se dy liderët e Ballkanit, Rama e Vuçiq, sikur po paraqiten si liderë të fuqishëm e të pushtetshëm, njëri për shqiptarët e Ballkanit e tjetri për serbët e Ballkanit” deklaroi Lubonja, publicist n RTK Prime.
Ai vuri në pah veprimet e Ramës që ka anashkaluar Kosovën edhe në disa raste të tjera, sikundër e jo e “Ballkanit të Hapur”, etj.
Tutje, Lubonja vuri në dukje disa probleme të kryeministrit Rama me ndërkombëtarët, duke vënë në spikamë deklaratat e tij për situatën në Kosovë, i cili ka thënë se Kosova ka zero rrezik nga Serbia, derisa shprehu mendimin se ka një rrezik që mund të bëhet një Donbas edhe këtu.
Rama duhej të bëhej krah i Kosovës.
Këtë mendim të Lubonjës e kundërshtoi analistja Dajana Berisha, duke thënë se veprimi i Ramës ka të bëjë më shumë në koordinim me ndërkombëtarët, për ta shmangur qasjen e vetizolimit të kryeministrit Kurti nga ndërkombëtarët, ngase ai refuzon të dëgjojë e të koordinohet me ndërkombëtarët që janë në Kosovë.
Kurse Valon Murati u shpreh kundër mendimit të Lubonjës lidhur me rrezikun që mund t’i kanoset nga Serbisë, duke thënë se Serbia nuk mund ta sulmojë Kosovë ushtarakisht, por, siç u shpreh, çështja është se veriu i vendit është me serbë me popullatë shumicë, derisa shtoi se Serbia ka resurse të mjaftueshme për ta destabilizuar vendin papasur nevojë të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë.























