Mblidhet Këshilli i Sigurisë
E. H/ RTKlive
Sot do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës.
Mbledhja vjen pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka deklaruar dje se tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në territorin e Kosovës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë akt, të cilin e kanë cilësuar si agresion. Ata kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe të lirohen zyrtarët policorë menjëherë.
Ndërsa KFOR-i, tha se është në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me ngjarjen.
Mbledhja parashihet të fillojë nga ora 07:00, ndërsa detyrë e këtij Këshilli është rekomandimi i politikave dhe i strategjive për sigurinë.























