Kurti: Ndërkombëtarët të kuptojnë pse Jabllanoviqi u tërhoq nga zgjedhjet
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Kurti: Ndërkombëtarët të kuptojnë pse Jabllanoviqi u tërhoq nga zgjedhjet

Jeton Musliu/RTKlive

“Prania e Policisë së Kosovës në veri do të reduktohet vetëm kur të largohet grupet kriminale nga atje”. Kështu deklaroi sot kryeministri Albin Kurti, në përgjigje ndaj shefit të BE-së, për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell. Ky i fundit ka deklaruar se një takim i ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të organizohet para se Kosova të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën.

Kreu i qeverisë kosovare rikujtoi se sot, kryetar i njërës nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës do të ishte Aleksandar Jabllanoviq, sikur ky i fundit të mos kërcënohej dhe të detyrohej që të tërhiqej nga gara.

 “Problem është që Jabllanoviqi doli nga fushata. Të gjithë ndërkombëtarëve unë iu sugjeroj që të merren sesi doli Jabllanoviqi nga fushata”, tha Kurti.

“Ai ka qenë fitues i sigurt, ne kemi qenë të gatshëm ta pranojmë si kryetar komune. Po të ishte Aleksandër Jabllanoviqi kryetar komune, unë njësoj me polici do ta mbroja Aleksandër Jabllanoviqin nga sulmet e kësaj milicie fashiste atje, të këtyre ekstremistëve të dhunshëm, me të cilët kurrë nuk dua t’i barazoj qytetarët serbë”.

Kurti tha se këta qytetarë janë në hall. “Ata janë edhe më shumë se ne në hall me ta, sepse i kanë më afër”.

Ai u shpreh se  nëse faktori ndërkombëtar u kishte premtuar që nëse bëhet aneksi i zbatimit të marrëveshjes në   Ohër, Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhje.

 “Neve faktori ndërkombëtar na ka premtuar, nëse bëhet aneksi i zbatimit në Ohër, ne ju garantojmë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje. Unë kam qenë i gatshëm që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje përkundër çfarë kanë thënë për mua dhe çfarë i kanë bërë Republikës tonë”, rikujtoi Kurti.

“A e dini çfarë ndodhë, zgjatet për pesë ditë afati i regjistrimit. Ne e bëmë aneksin e zbatimit në Ohër, dhe Lista Serbe nuk mori pjesë në zgjedhje”.

Në këtë sitiatë, ai shtroi pyetjen. “Çfarë të bëjmë ne, nuk mund ta marrim Listën Serbe me dhunë të garojë në zgjedhje”, tha Kurti, duke e cilësuar të padrejtë faktin që i gjithë ‘arsenali’ të zbrazet kundrejt kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetimi.


MË SHUME NGA Lajme