Britania e Madhe kërkon lirimin e policëve kosovarë
BKT
Lajme

Britania e Madhe kërkon lirimin e policëve kosovarë

M.Miftari/RTKlive

Britania e Madhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor.

Përmes një deklarate, qeveria e Britani e Madhe ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet.

“Ne përsërisim thirrjet tona për kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të policisë të tërhiqen nga ndërtesat komunale”, thuhet, mes tjerash, në deklaratë.

Tutje, Britania e Madhe ka kërkuar që zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur, duke inkurajuar serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet, ndër të tjera, në deklaratë.

Ndryshe reagimi i Mbretërisë së Bashkuar vjen një ditë pasi SHBA ka kërkuar lirimin e tre zyrtarëve policorë, pa kushte, të kidnapuar në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.


MË SHUME NGA Lajme