Forumi i Prespës, Kovaçevski: Kur flasim për të ardhmen, gjejmë zgjidhjen
M.Miftari/RTKlive
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në Forumin e Prespës, në temën “Bashkëpunimi i vërtetë rajonal mban varkën të qëndrueshme”ka folur, mes tjerash, edhe për Kosovën, për raportin e saj me Serbinë.
Ai për këtë çështje ka vënë një paralele me përvojën e tij si politikan, me Bullgarinë, me liderët e të cilit vend ka arritur të gjejnë zgjidhjen, kur, sikundër tha ai, kanë menduar e vepruar për të ardhmërinë.
“Kur flasim për nevojat e njerëzve, atëherë mund të gjejmë zgjidhje, por nëse flasim për të kaluarën, atëherë nuk mund të ketë zgjidhje”, tha Kovaçevski.
Forumi i Prespës, Bregu: Bashkëpunimi rajonal të qëndrojë më tutje
Në ‘Forumin e Prespës’që po mbahet në Strugë me temën “Bashkëpunimi i vërtetë rajonal mban varkën të qëndrueshme” ka folur Majlinda Bregu, Sekretar e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Lidhur me temën e bashkëpunimit rajonal ajo tha se na duhet përkushtim, dedikim për bashkëpunim ndërfqinjësor, derisa u shpreh se megjithatë ka marrëveshje të shkëlqyeshme për plane e programe strategjike,por që, tha ajo, problemi nis kur fillon implementimi i tyre.
“Ne duhet ta pranojmë se bashkëpunimi rajonal duhet të qëndrojë edhe më tutje... është diçka që duhet të zbatohet kudo”, deklaroi Bregu, teksa sqaroi se marrëdhëniet ndërfqinjësore do të thotë se marrëdhëniet më fqinjët janë marrëdhënie të mira dhe të zgjidhen problemet çdo herë që shfaqen.
Bregu u përgjigj pyetjeve nga të pranishmit, ku mes tjerash u bë fjalë edhe për Ballkanin e Hapur, për të cilën ajo tha se në të marrin pjesë tri shtete nga gjashtë shtete sa janë gjithsej në rajon, që megjithatë është legjitim, ndonëse ka një treg të vogël për të konkurruar.

Në panel për të diskutuar për këtë temë ishin pjesëmarrës kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Ky i fundit foli për “Ballkanin e Hapur”, i cili tha se është një proces për të arritur te “Procesi i Berlinit”, që të arrihet më lehtë.
“Ballkani i Hapur çdo herë ka deklaruar se është i hapur për gjashtë shtete, sepse çdo lajm i mirë për rajoni ka efekt pozitiv në tërë rajonin”ka deklaruar Abazoviq.
Kovaçevski: Kufijtë në Ballkan janë burim i korrupsionit
Për ngjashmëritë dhe dallimet mes Ballkanit të hapur e Procesit të Berlinit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se Berlini, sado që ka shumë gjëra pozitive, është shumë larg nga këtu.
“Prandaj kemi nevojë që ne, udhëheqja politike për të bashkëpunuar. Një orë e gjysmë flasim për bashkëpunim, ndërkohë që 100 km në veri nga këtu kemi problem dhe askush nuk flet. Berlini nuk do ta zgjidhë problemin. Ne duhet ta zgjidhim”, tha, mes tjerash, Kovaçevski, teksa sqaroi se nëse ndërmjet dy shteteve ka një kontekst nuk është problem mes dy vendeve, por është problem rajonal, ngase, siç u shpreh ai, një turist i huaj kur dëgjon një problem në një vend, në Mal të Zi, do të shkojë në Tenerife, pra dëmtohet rajoni.
Ai mes tjerash foli për kufijtë në Ballkan, që, sipas tij, janë burim korrupsioni.























