Orientimi i të rinjve në karrierë dhe kërkesat e tregut të punës|Video
Valbona Tahiri / RTK
“Gjurmimi i të diplomuarve në Universitetin e Prishtinës, cilësia e studimeve, rruga drejt punësimit” si dhe “Vlerësimi për përgatitjen profesionale të studentëve nga perspektiva e punëdhënësve”, janë dy raportet të cilat pasqyrojnë në hollësi përqindjen e punësimit të të rinjve të cilët janë diplomuar në Universitetin e Prishtinës.
Mbi 73% e të rinjve të diplomuar në Universitetin e Prishtinës në programe të 14 njësive akademike, janë të punësuar ose të përfshirë në punë praktike.
Në sektorin publik përqindja arrin në 23.61% të studentëve të punësuar, derisa në sektorin privat studentët e diplomuar në UP janë të punësuar 33.3% e tyre.
Të angazhuar në punë si punëtor në arsim, edukim e hulumtim janë 22.9%, ndjekur nga kategoria biznes, financa, konsulentë, menaxhim e shitje me 17.02%.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi thotë se ka gjithashtu rekomandime se çka mund të bëjmë më shumë dhe më mirë për përshtatjen e cilësisë dhe profilet tona me tregun e punës.
Vlerësimet e dhëna mbi përmirësimin edhe më tej të cilësisë së studimeve, e punës praktike në përputhje me kërkesat e tregut të punës, janë ndër kërkesat bazë edhe nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës, gjegjësisht Këshilli Shtetëror i Cilësisë, për akreditimin dhe riakreditimin e një programi.
Naim Gashi nga Agjencia e Akreiditimit e Kosovës thotë një nga kriteret bazë është ndërlidhja e programeve me tregun e punës.
“Më gëzon fakti qe 73% e UP kanë gjetur vende pune”, tha ai.
Zana Sherifi e diplomuar për ekonomi në Universitetin e Prishtinës, tanimë është e punësuar.
Studimet e saj ajo i vlerëson shumë cilësore në aspektin e ligjërimit nga ana e profesorëve dhe mundësisë së kryerjes së punës praktike brenda hapsirëve të fakultetit dhe jashtë tij.
“Gjatë studimeve të master kam kryer punë praktike, e kur kam fillua punën aktivitetet ekstra kurrikulare kanë shumë rëndësi”, tha ajo
Në këto raporte hulumtuese u paraqitë: 26% e të anketuarve raportuan se fitojnë pagë në mes të 500 deri në 1000 euro.
Pagë prej 250 deri në 500 euro deklaruan se marrin 22.80% e respodentëve.
Nga gjithsej 987 pjesëmarrës si mostër e këtij hulumtimi, 26.8% apo 265 janë të kënaqur me punën e tyre aktuale, derisa 43 apo 4.4 % e deklaruan të kundërtën.























