Shiu u shkakton dëme të mëdha fermerëve në Ferizaj|Video
Driton Ramadani / RTK
Reshjet e shiut kanë shkaktuar dëme në kulturat bujqësore edhe në Ferizaj. Një fermeri i janë shkatërruar 3 hektarë me dredhëza në vlerë deri në 100 mijë euro. Në komunë thonë se e kanë ndarë një fond për kompensim.
Shiu që po bie pandërprerë tash e disa ditë, ka bërë që fermerit Bujar Bytyqi t’i shkaktohen dëme të mëdha në të mbjellat që ka, sidomos në atë të dredhëzës.
Bujar Bytyqi, fermer thotë se të reshurat e shiut i kanë bërë dëme jashtëzakonisht të mëdha.
“Shiu na ka bërë dëme shumë të mëdha sidomos në dredhëz, sepse dredhëza është e ndejshme ndaj lagështisë edhe unë i kam diku 3 hektar dredhëz në fushë të hapur dhe 60 ari në Serë. Shiu i pandërprerë na ka pamundësuar t’i vjelim. Tash ato janë kalbur e po ashtu po e kalbin njëra tjetrën edhe atë të verdh çka është po e kalbë dhe kështu që kemi dëme tepër të mëdha”, tha ai
Bytyqi thotë se dëmet janë mijëra euro, por shpreson që të gjenden forma të kompensimit.
“Dëme ka afër 100 mijë euro se d.m.th mbi 30 tonë në hektar, i qetë dredhëz edhe sivjet ka edhe çmim bukur të mirë mbi 2 euro kilogrami”, tha Bytyqi.
Në komunën e Ferizajt thanë se në buxhet janë paraparë mjete për kompensim të dëmeve.
Drejtori i Bujqësisë në Ferizaj, Burim Bajrami tha se në kategorinë e subvencioneve janë ndarë 50 mijë euro për pagesat e këtyre dëmeve me qenë se Ministria e Bujqësisë më nuk kompenson dëme.
“Prandaj ne do të mundohemi që secili prej fermerëve që ka pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore të dalim ta vizitojmë ta vlerësojmë dëmin dhe t’iu kompensojmë në mundësit tona buxhetore”, tha Bajrami
Po ashtu të reshurat e shiut kanë ndikuar edhe në mbjelljet pranverore.























