Serbët, Turqit e Romët në Gjilan e Kamenicë ndajnë halle të njëjta|Video
BKT
Lajme

Serbët, Turqit e Romët në Gjilan e Kamenicë ndajnë halle të njëjta|Video

Asdren Agushi / RTK

Komunitetet joshumicë në Komunën e Gjilanit dhe atë të Kamenicës thonë se janë të integruara plotësisht. Ata thonë se jetojnë dhe ndajnë halle të njëjta sikurse shqiptarët.

Komuna e Kamenicës njihet për tolerancën dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve. Shembulli më i mirë është tregu i përjavshëm, i cili mbledh të gjitha etnitë në një vend, madje edhe tregtimi është i përbashkët.

 “Raportet mes nesh këtu janë të mira, serb, shqiptar…, ata bëjnë tregti tek ne, ne tek ta. Janë të mira raportet”, thotë Ismail Bugacku - qytetar i shqiptar nga Kamenica.

 “Me askënd nuk kam asnjë problem. Jetojmë në shtëpi dhe çfarë tjetër të bejmë. Vij në treg marr cfarë më duhet, nuk shaj dhe nuk ofendoj askënd. Dhe kjo është”, shprehet Sergjan Stankovič - qytetar serb nga Kamenica.

Ndërkaq edhe në Gjilan, nënkryetari për komunitete i kësaj komune, thotë se qëllimi i tij është që përmes projekteve të ndryshme të arrijnë t’i integrojnë sa më shumë komunitetet joshumicë.

 “Si qellim i strategjisë së punës së nënkryetarit të komunës është të gjejë mundësitë që sa më tepër t’i integroj komunitetet joshumicë në institucione, qoftë komunale, qoftë institucione qendrore”, tha Kadir Huseyin - Nënkryetar për komunitete në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

Në Komunën e Gjilanit, përveç komunitetit shumicë shqiptar, jetojnë edhe serbët, turqit dhe romët.


MË SHUME NGA Lajme