Sveçla:Kriminelët që marrin urdhra nga Beogradi do të përballen me drejtësi
E. Hoti/ RTKlive
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka reaguar pas arrestimit të sotëm të një serbi në veri, të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve.
Ministri Sveçla ka thënë se i arrestuari i tretë, i radhës, është Urosh Vukasinoviq. Ai ka deklaruar se çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet.
“Tre ditët e fundit, tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit. I arrestuari i tretë, i radhës, është Urosh Vukasinoviq.Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë. Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai ka thënë se nuk do të lejojnë askënd të sulmojë qytetarët dhe të frikësojë raportimin e gazetarëve.
“Republika e Kosovës është vend shembull i funksionimit të demokracisë, dhe nuk do të lejojmë askënd, me asnjë çmim të sulmojë qytetarët, të frikësojë raportimin e gazetarëve dhe cenojë rendin tonë kushtetues”, ka shkruar Sveçla.
Për arrestimin e Urosh Vukasinoviq është deklaruar sot edhe Policia e Kosovës.
"Sot, në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar i dyshuari i radhës mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulmi ndaj
mediave/gazetarëve", thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.























