“I treturi” ngjall emocione të forta në Gjenevë
BKT
Foto: Afrim Muçaj/Facebook
Kulturë

“I treturi” ngjall emocione të forta në Gjenevë

RTKlive

U promovua filmi artistik i metrazhit të gjatë “I treturi”, me regji të  Arben Thaçi, prodhim i Agjensisë së filmit të Maqedonisë së veriut, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Shqipërisë.

Promovimi u bë gjatë festivalit ndërkombëtar të filmit në Gjenevë të Zvicrës, i cili tashmë është kthyer në një organizim tradicional. 

Kështu, të shtunën në mbrëmje, në kinemanë Grütli, shqiptarë e të huaj, u ‘gozhduan’ para ekranit të madh dhe për rreth dy orë, mbajti dhe shtrënguan emocionet nga rrëfimi, skenari, realizimi dhe loja e aktorëve.

I frymëzuar nga romani “Të treturit e projanës” të Abdylaziz Islamit, e gjithë ngjarja rrjedh nga mes dy  Luftërave Botërore deri në vitet e 90-ta.

Partizanë e ballistë përplasen përmes përjetimeve të personazheve kryesor të filmit.

Rolet kryesore të luajtura nga aktorët si: Sotiraq Bratko, Sokol Monallari, Afrim Mucaj, Sheqerie Buqaj, Adem Karaga, Refet Abazi, Enis Murati, Eva Alikaj, Kejdi Ademi etj, po i japin shpirt dhe përjetim çdo minutë të këtij filmi.

Regjisori dhe disa nga aktorët të cilët ishin prezent morën fjalën dhe mes duartrokitkesh, pas shfaqjes së filmit, rrëfyen përjetimet e tyre.

Regjisori Arben Thaçi tha se për të është privilegj që filmi i tij është pjesë e një festivali ndërkombëtar.

Ndërsa aktori Afrim Muçaj, foli për personazhin në film, për të cilin tha se i ka dhënë emocione dhe vetën e tij, ndonëse suksesin ia dedikoi ekipit të aktorëve dhe bashkëpunëtorëve.

Nga drejtuesit e kinemasë u tha që filmat me tematika të tilla që vijnë nga Kosova dhe Shqipëria kanë ngjallur interes te njerëzit që preferojnë kinemanë si strukturë arti.

Festivali ndërkombëtar i filmit oriental në Gjenevë, këtë vit mblodhi shumë filma me një diversitet temash, me kaste aktorësh e regjisorësh nga bota, si dhe një fluks vizitorësh nga data 12 deri më 18 qershor 2023 në edicionin e 18-të të tyre.

 


MË SHUME NGA Kulturë