Prezantohet rifillimi i punës së gazetarëve afganë në hapësirat e RTK-së
DW
Në Forumin Global të Medias, të organizuar nga DW, i cili mblodhi mijëra të pranishëm, gazetarë dhe udhëheqës mediash nga mbarë bota, u fol edhe për gazetarët në ekzil, të strehuar në Kosovë.
Në këtë forum, i cili vlerësohet ndër më të mëdhatë në botë, u prezantua rifillimi i punës së gazetarëve afganë në hapësirat e Radiotelevizionit të Kosovës.
Gazetaret afgane Nadia Gulanzada dhe Amina Omid rifilluan punën e tyre në Prishtinë, në zyrat e RTK-së. Ato punojnë në ekzil për mediat afgane.
“Gjëja kryesore çfarë punojmë këtu është prodhimi i storieve për mediat në Afganistan, ose raportojmë për problemet e afganëve në Afganistan dhe të atyre që janë të strehuar në Kosovë”, tha Nadia Gulanzada - gazetare afgane e cila punon në hapësirat e RTK-së.
“Dallimi esencial i punës në Afganistan dhe në Kosovë është siguria dhe paqja. Ne si gazetarë jemi përgjegjës që ta ngremë zërin, të raportojmë për situatën në Afganistan dhe mbi atë se çfarë po ndodh me gratë dhe vajzat atje”, shprehet Amina Omid- gazetare afgane e cila punon në hapësirat e RTK-së.
Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në Lajpcig dhe Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës e kanë krijuar këtë program për gazetarët afganë në Kosovë.
“Ky është një program unik, i financuar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo Gjermane, të cilat ua mundësojnë gazetarëve afganë të rrezikuar që të vijnë në Kosovë dhe ta vazhdojnë punën e tyre.
Arsyeja pse ne e mbështesim këtë program është sepse në vitin 1999 e kemi përjetuar luftën, kemi qenë të dëbuar nga vendi dhe e dimë se çfarë ndjenje është të jesh në një vend tjetër si refugjat”, tha Flutura Kusari-juriste e medias.
Në mars të këtij viti, drejtori gjeneral i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, gjatë pritjes që ua bëri gazetareve afgane, u zotua se Menaxhmenti i RTK-së do t’i përkrahë duke ua ofruar hapësirat e punës.
Që nga viti 2021, kur regjimi taleban mori kontrollin mbi Afganistanin, asnjëra prej tyre nuk i kanë takuar familjarët, por mbesin në kontakt përmes platformave online.























