SHBA-ja zgjat emergjencën kombëtare për Ballkanin Perëndimor
V. Thaçi / RTKlive
Përmes një njoftimi, Shtëpia e Bardhë, ka bërë të ditur se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka zgjatur emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor deri më 26 qershor të vitit 2024.
Emergjenca për Ballkanin Perëndimor ishte shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001.
Por Biden, në një deklaratë të lëshuar më 20 qershor, bëri të ditur se ajo do të zgjatet shkaku i situatës në Ballkanin Perëndimor.
Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare të stabilizimit në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetin pengues, dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
“Për këtë arsye, urgjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, sipas të cilit u ndërmorën hapa shtesë në Urdhrin Ekzekutiv 13304, dhe që u zgjerua në urdhrin Ekzekutiv 14033, duhet të vazhdojë në fuqi pas datës 26 qershor 2023. Prandaj, në përputhje me neni 202(d) i Aktit Kombëtar të Emergjencave (50 U.S.C. 1622(d)), po vazhdoj për 1 vit urgjencën kombëtare të shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, thuhet në Urdhrin Ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti Joe Biden.
SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, me tetë qershor të vitit 2021, pasi siç thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor.
Ndryshe, dje, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropianë për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.























