KFOR-i rinovon bashkëpunimin me FSK-në
BKT
Lajme

KFOR-i rinovon bashkëpunimin me FSK-në

F.S / RTKlive

Misioni i KFOR-it në Kosovë ka rinovuar bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për operacionet e mbrojtjes civile, si shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkim-shpëtimi e reagimi ndaj materialeve të rrezikshme.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral-majori Angelo Ristuccia, përmes një postimi në Twitter ka bërë me dije së është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, me të cilin kanë biseduar mbi gjendjen aktuale të sigurisë dhe nevojën për shtensionim të situatës.

“Ata rinovuan bashkëpunimin e tyre dhe ndihmën e KFOR-it për FSK-në për operacionet e mbrojtjes civile si shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese (EOD), kërkim-shpëtimi (SAR) dhe reagimi ndaj materialeve të rrezikshme (HAZMAT)”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka takuar komandantin KFOR-it z. Ristuccia me të cilin ka diskutuar rreth situatës aktuale të sigurisë në veri të vendit rëndësinë e kthimit të stabilitetit, që do të thotë krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e komunave veriore të Republikës së Kosovës.

“Me theks të veçantë diskutuam rëndësinë e koordinimit me KFOR dhe të gjitha institucionet e sigurisë për të garantuar ambient të qetë për të gjithë qytetarët tanë. Bashkëpunimi do të jetë në nivelin e duhur sipas detyrave dhe obligimeve ligjore që kemi. Kam ritheksuar që sulmet ndaj gazetarëve janë të papranueshme, ashtu si edhe kidnapimi i tre policëve brenda territorit të Republikës së Kosovës, të cilët presim që sa më parë të lirohen. E drejta është në anën e Kosovës”, ka shkruar ministri Mehaj.


MË SHUME NGA Lajme