Rohde: E pavërtetë se 200 kompani gjermane paralajmërojnë largim nga Kosova
J.Musliu/RTKlive
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka quajtur tërësisht të gabuar, raportimin e disa mediave se rreth 200 kompani gjermane e kanë braktisur Kosovën.
“Raportimet e mediave për largimin e 200 kompanive gjermane nga Kosova, janë krejtësisht të gabuara”, shkroi ambasadori gjerman në Twitter.
Madje këtë lajm ai e cilësoi si- “mosrespektim të standardeve të gazetarisë”.
“As shoqatat e biznesit nga Gjermania apo Kosova dhe as Ambasada nuk janë pyetur nëse kjo është e vërtetë”, deklaroi ambasadori Rohde.
“Çfarë është e vërtetë: Kompanitë janë të shqetësuara për zhvillimet aktuale”.
Në fakt një deklarim të tillë, se kompanitë gjermane, janë të shqetësuar për situatën e fundit në veri të Kosovës, ambasadori gjerman e ka thënë edhe në intervistën e tij të përbashkët me ambasadorin e Francës në Kosovë, dhënë në emisionin “RTK Prime” të martën në mbrëmje.
“E kemi parë javën e kaluar një deklaratë shtypi të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare e ku paqartësia ekonomike është helmuese për zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori gjerman në emisionin “RTK Prime”, e ku sipas tij, janë kompanitë gjermane që do ta pyesnin të mërkurën për këtë situatë.
“Nesër (fjala ishte për të mërkurën v.j) do të kemi bisedë në Zoom me drejtues kompanish gjermane sepse na pyesin se çfarë po ndodh në Kosovë”, tha ai.
“E nëse ka një klimë që nuk është fort e qartë e fort e sigurt, pra nuk është gjë e mirë...”.
Gjatë ditës, disa media, duke u mbështetur në disa deklarata të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, kanë pretenduar se afër 200 kompani gjermane paralajmëruan ikjen nga Kosova për shkak të situatës politike.
Megjithatë, këto pretendime janë hedhur poshtë nga ambasadori gjerman, Jorn Rohde.
Lajmin për largimin e 200 kompanive gjermane nga kosova e ka demantuar edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.
OEGJK deklaron se nga burime të ndryshme ka marrë informacionin e qarkullimit të një lajmi të rrejshëm me titull -E frikshme: Afër 200 kompani gjermane paralajmërojnë ikjen nga Kosova për shkak të situatës së sigurisë.
"OEGJK e sheh të arsyeshme të demantojë këtë lajm të rrejshëm. Ne i referohemi komunikatës tonë për shtyp, të publikuar më 15 qershor 2023", deklaron kjo organizatë.























