Borrell thërret në takim urgjent Kurtin e Vuçiqin
V.Thaçi / RTKlive & Gjeraqina Tuhina / Bruksel
Përmes një postimi në Twitter, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell ka bërë të ditur se i ka thirrur për një takim urgjent në Bruksel, kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një rrugëdalje për situatën e tensionuar.
Ai ka thënë se takimi është urgjent për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale, deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri të Kosovës.
“I kam thirrur liderët e Serbisë dhe Kosovës në Bruksel për takime urgjente për të gjetur rrugën e daljes nga kriza aktuale. Ne kemi nevojë për deeskalim të menjëhershëm dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Kjo është parësore për rajonin dhe BE-në”, ka shkruar Borrell.

Mbajtja e takimit nuk ishte e sigurtë deri në momentin e fundit meqë kreyministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, deri në momentin e fundit nuk e kanë konfirmuar pjesmarrjen në takim.
Përderisa Kurti të mërkurën në mbrëmjë ka konfirmuar se vjen në Bruksel për takim, Vuçiq akoma zyrtarisht këtë gjë nuk e ka bërë ndonëse merret vesh jozyrtarisht se në të vërtetë do të paraqitet sot në Bruksel.
Gjithashtu nuk është e sigurtë nëse do mbahet takimi i përbashkët në mes të liderëve.
Nuk përjashtohet mundësia që ata dy të mbajnë vetëm takime të ndara me shefin e diplomacisë evropiane dhe të shmangin takimin e përbashkët.
Për BE-në më e rëndësishme është ardhja e liderëve me çfarë ata dëshmojnë gatishmërinë për t’u angazhuar në shtensionim të situatës në veri se sa vet forma e takimit.























