Murati: Niveli i inflacionit ka shënuar ulje 5.5 për qind
B. H. | RTKlive
(E plotësuar) Ministri i Financave, Hekuran Murati e ka vlerësuar të panevojshme raportimin në interpelancën e thirrur nga AAK-ja. Ai ka thënë se niveli i inflacionit në Kosovë ka shënuar ulje në 5.5 për qind, teksa theksoi se ka rënie edhe të çmimit të naftës dhe disa prej produkteve esenciale.
Murati po ashtu i vlerësoi të pavërteta pohimet e opozitës për rritjen e papunësisë në vend.
“Sipas ASK-së inflacioni është 5.5 për qind, pra kemi rënien të theksuar. Çmimi i naftës tash sillet 1,25 cent, çmimi i grurit ka rënë 20 deri 25 cent që është përgjysmë i nivelit që ka qenë.Të gjitha këto i kemi në nivelin e para inflacionit por çmimet tjera nuk kanë rënë, kjo tregon që nuk kemi të bëjmë me inflacion të importuar por kjo lidhet me lakimin e tregtarëve për të rrit marzhat e fitimit. Për këtë në kemi sjell ligjin, por ligji është duke pritur në Gjykatën Kushtetuese. Ne vazhdojmë që të kemi çmimin më të ulët në Evropë për energji elektrike”, ka theksuar ministri i Financave.
Ai theksoi se shpenzimet në dy vitet e fundit kanë qenë brenda normës së rajonit, derisa tha se si ekzekutiv kanë ndërmarr masa që t’i mbështesin prodhuesit vendor.
Tahiri i AAK-së: Ekonomia e vendit mund të bie në kolaps
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri gjatë paraqitjes së interpelancës ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, ka thënë se rishikimi i buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rritja e pagave në sektorin publik janë dy çështje për të cilat ministri është thirrur në interpelancë.
Ai ka thënë se vendi dhe ekonomia pritet të bien në kolaps të plotë si pasojë e qeverisjes së dobët.
“Ekonomia e Kosovës e ka rënien më të ulët në historinë e vet. Ajo në vitin 2021 ka pasur ngritje vetëm 3 për qind, derisa trendet e vitit 2023 janë edhe më të këqija. Me dinamikën qe e kemi këtë vit mund të pritet që vendi dhe ekonomia të bien në një kolapsim apo dështim të plotë”, ka theksuar Tahiri.
Ai tutje ka thënë se menaxhimi i fondeve publike për më shumë se dy vite nga qeveria është i dobët, jo profesional, partiak e politik, si dhe është i dëmshëm për vendin.
Sipas Tahirit edhe paga minimale me ligjin që është propozuar nga qeveria është në disproporcion të madh.
Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të bëjë kërkimfalje ndaj Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
PDK thërret Kurtin t’i kërkojë falje Blinkenit
Deputetja e këtij subjekti politik, Blerta Deliu-Kodra në seancën e sotme të Kuvendit, në deklarimet jashtë rendit të ditës, ka thënë se PDK-ja pret që Kurti ta bëjë një veprim të tillë sa është kryeministër i vendit.
“Kurti duhet t’i kërkojë falje zotit Blinken për deklaratën e tij skandaloze.Kërkimfalja ndaj Blinkenit është e domosdoshme sa ai është kryeministër i Kosovës. Neve si deputet na mbetet përgjegjësia e madhe për t’u distancuar nga kjo gjuhë që ai tash e sa kohë po komunikon me partnerët”, tha ajo, duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Kurti për “The Guardian”, ku ai kishte shprehur pakënaqësitë e tij për deklaratën e Blinkenit ndaj zhvillimeve në veri të vendit.
Deputetja e PDK-së ka kërkuar po ashtu që tre policët e rrëmbyer nga Serbia javën e kaluar, të lirohen menjëherë dhe pa kushte, pasi mbi ta rëndojnë akuza të pabaza.























