Kurti: Zgjedhjet e parakohshme, por që paraprihen nga sundimi i ligjit
Muharrem Miftari/ RTKlive
(Plotësuar, ora 21:45) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve bëri të ditur se zhvilloi takime bilaterale me shefin e Politikës së Jashtme e të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell, si dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku sqaroi se takimi nuk ishte trelateral, sepse pala tjetër ka refuzuar një gjë të tillë.
Tutje, kryeministri Kurti foli për rrjedhën e takimeve që para katër muajsh e deri më tani, kur, siç u shpreh ai, "sot u konfirmua që kemi marrëveshje, por nuk patëm takim", teksa kritikoi sjelljen joserioze të presidentit Vuçiq.
“Unë kam ardhur për t’u takuar për t’u marrë vesh që të kemi dakordësime e të ecim përpara”, tha kryeministri Kurti, derisa shtoi se jo gjithçka varet prej tij.
“Në fillim të takimit unë kam prezantuar një dokumentacion Borrell-it e Lajçak-ut lidhur me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës në Leposaviq, më 14 qershor, kur janë bërë më shumë se një javë e që po mbahen peng nga Serbia, në burgun e Kralevës”, tha kryeministri Kurti, duke kërkuar që ta dënojnë publikisht agresionin e Serbisë ndaj Kosovës.
Kurti: De-eskalimi i situatës më veri të vendit nuk ka alternativë
Tutje, kryeministri Kurti tha se është diskutuar edhe për de-eskalimin, për të cilën tha se nuk ka alternativë, duke shtuar se kjo e fundit ka nevojë për sekuencim të hollësishëm e të balancuar ta marrrëveshjes bazike e të atij dakordimi të marrëveshjes shtesë-Aneks zbatimi- që u arrit në Ohër.
“Ndërkaq sa i përket zgjidhjes më të qëndrueshme, natyrisht se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri me një proces qe i paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur e fer dhe nga zgjedhjet e lira e demokratike”, tha mes tjerash Kurti.
E lidhur me tri kërkesat të BE-së, Kurti për njërën nga kërkesat, që ka të bëjë me policinë, tha se policia nuk është në komunë, por pranë dhe prania e tyre nuk është e dëshirueshme, as për palën kosovare, por është e obligueshme, duke pasur parasysh ekstremistët e dhunshëm që kanë qëlluar mbi ushtarët e KFOR-it, mbi policët, mbi gazetarët, derisa nuk ka përballje me drejtësinë të këtyre elementeve destabilizues.
Kurse për zgjedhjet e parakohshme Kurti tha se është për, porse ato duhet të kenë zgjidhje ligjore.
“Zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë zgjidhje ligjore, ashtu siç e parasheh ligji në Kosovë”, duke shtuar nuk mund të bëjmë zgjedhje që nuk janë ligjore, se, siç tha kryeministri , shkaktojnë problem.
Ndërkaq në pyetjen për kushtet e vëna nga BE, kryeministri Kurti tha se kushti i veprimtarisë së tij është ligji dhe kushtetutshmëria, duke sqaruar se çfarëdo që të bëjë ndryshe, bie ndesh me këto.
“Kjo më kufizon dhe më jep komptencë”, sqaroi mes tjerash kryeministri Kurti.
Borrell thotë se janë pajtuar që të ketë zgjedhje të reja në veri
(Plotësuar, ora 20:44)Shefi për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Josep Borrell, në konferencë për media ka folur për ecurinë e takimeve të sotme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, për të gjetur zgjidhjen në uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Borrell që në fillim tha se situata në veri të Kosovës nuk është e pranueshme, duke shprehur shqetësimin se gjithmonë na duhet të lidhemi në takime të tilla për menaxhimin e krizave.
Tutje, Borrell qartësoi arsyen e ftesës së liderëve nga Kosova e Serbia, me synimin për arritjen e normalizimit e të merren hapa vendimtarë.
“Të gjitha gjërat që kemi bërë deri tash, në katër orët e fundit e më shumë, ku jam takuar së pari më Kurtin që do të ketë pritje që në Kosovë të pezullohen operacionet në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, që katër kryetarët të tërhiqen nga objektet komunale përkohësisht e Serbia të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga objektet komunale e njëkohësisht, me tërheqjen e forcave policore, pastaj të shpallen zgjedhje të parakohshme në katër komunat sa më shpejtë që është e mundur me kushtin që të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës dhe këtu qëndron thelbi i problemit edhe i zgjidhjes”, deklaroi Borrell.
"Zgjedhjet e hershme të reja sa më shpejtë që është e mundur me pjesëmarrje të plotë", tha Borrell, duke shtuar se pas normalizimit të situatës të vazhdojë dialogu në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, që dukej marrëveshje e mirë dhe duhet të bëhet zbatimi i kësaj marrëveshjeje, me shmangien e çfarëdo lloj vonese, që d.m.th. hartimi i statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Borrell: Do të ketë ndëshkim ndaj kryerësve të akteve të dhunës
Lidhur me këtë çështje, Borrell tha se nuk mund të ketë pandëshkueshmëri ndaj kryerësve të akteve të dhunës, por që kjo çështje duhet t’i lihet gjyqësorit që të trajtohet në mënyrë profesionale e të paanshme.
“Takimi i sotëm nuk është fokusuar tek ajo se çfarë por kur e si, pra si të shtenionohet situata në terren, në hapa krejtësisht konkretë dhe se si të organizohen zgjedhje të reja se si të kthehemi në tryezën e dialogut, si dhe në zbatimin e të gjitha e obligimeve nga marrëveshjet, sidomos marrëveshja për shtegun drejt normalizimit”, tha mes tjerash, Borrell, teksa shtoi se pas katër orë takimi të dy liderët e kuptojnë peshën e situatës, por që, sigurisht, kanë qasje në pozicione të ndryshme të shkaqeve, efekteve, pasojave, zgjidhjeve
Më tej, Borrell sqaroi se në tryezën e bisedimeve ka nxjerrë propozime konkrete në bazë të kushteve të përmendura nga BE.
“Në këtë kontekst jemi pajtuar për nevojën e organizimit të zgjedhjeve të reja dhe kemi diskutuar modalitetet hapat se si të arrihet atje, ndonëse ende nuk kemi arritur atje, por, së paku, duhet të vazhdojmë se cilat janë alternativat me procedurat”, nënvizoi Borrell.
Borrell: Tre policët e Kosovës të lirohe menjëherë e pa kushte
Ai, gjithashtu, bëri të ditur se është biseduar edhe për arrestimet
“Po ashtu kemi diskutuar për arrestimin.Kam theksuar që arrestet arbitrare dhe keqtrajtimi ndaj të burgosurve ose të paraburgosurve është i papranueshëm”.
Borrell ka folur edhe për misionin e EULEX-it në Kosovë, ku sipas tij, do të ketë një rol më solid në kuptimin e monitorimit të këtij konteksti.
Ndërkaq lidhur me bisedimet me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, Borrell tha se i ka kërkuar që të tre policët e Kosovës të lirohen sa më shpejtë dhe pa kushte.
“I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët që po mbahen në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, tha Borrell.
Ai, mes tjerash, shprehu besimin se janë identifikuar rrugët e drejtimit, por që , shtoi ai, palët fillimisht duhet t’i zbatojnë zotimet e tyre.
Borrell, lidhur me të burgosurit a të paraburgosurit ka folur për kushtet e tyre.
“Kosova është marrë në kuptimin e kushteve të paraburgimit dhe kam kërkuar hetim e vlerësim të menjëhershëm e të thukët të kësaj situate e, normalisht, marrjen e masave të duhura”, ka thënë Borrell.
Në fund Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së bëri të ditur se bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të hënën do të raportojnë ministrave të Jashtëm të BE-së, siç u shpreh ai, "se ku qëndrojmë e se kah duhet të drejtohemi”.
Përfundoi takimi Borrell-Kurti
Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel
(E plotësuar, ora 19:55) Ka përfunduar takimi ndërmjet shefit për Politikë të Jashtme e Siguri të BE-së, Josep Borrell, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Bëhet e ditur se Borrell do të deklarohet lidhur me ecurinë e takimit të tij me Kurtin e pastaj edhe kryeministri Kurti.
Përfundoi takimi Borrell-Vuçiq, prapë takim me Kurtin
(E plotësuar, ora 18:35) Ka përfunduar takimi ndërmjet shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Detaje rreth bisedës nuk dihen. Sërish zhvillohet takimi mes Borrell-it dhe kryeministrit Kurti.
Nis takimi Borrell-Vuçiq
(E plotësuar, ora 16:58) Ka nisur takimi ndërmjet shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pasi ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tani ka nisur takimi me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq
Sikundër merret vesh takimi po mbahet për të gjetur zgjidhjen për të ulur tensionet në veri të vendit.
Përfundon takimi Kurti – Borrell
(E plotësuar) Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Tani pritet që në takim me Borrell dhe Lajçak të shkojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Borrell së pari pret Kurtin
Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell fillimisht e ka pritur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në takimin urgjent të thirrur në Bruksel për të gjetur zgjidhje për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Krahas kryeministrit Kurti në Bruksel ka udhëtuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me të cilin Borrell pritet të takohet pas përfundimit të takimit me kryeministrin Kurti.
Takimet e BE-së me palët pritet të nisin në orën 14:00
Zyrtarët evropian nuk kanë konfirmuar nëse do të vie deri tek takimi i përbashkët në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së vetëm konfirmoi se të dy liderët do të jenë në Bruksel, ndërkohë që “është shumë herët për të parashikuar se si do të shkojnë gjërat”. Ajo porositi se takimi i sotëm është mundësi për të dy liderët që të tregojnë gatishmëri për të de-përshkallëzuar.
Gjithashtu në komunikatën për shtyp nga Shërbimi evropian për veprim të jashtëm (EEAS) vetëm thuhet se Josep Borell dhe Mirosllav Lajçak do jenë nikoqir të “një sërë takimesh për menaxhimin e krizave” me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në Bruksel.
“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të de-përshkallëzuar tensionet aktuale në mënyrë që t'i rikthehet zbatimit të Marrëveshjeve të Dialogut, në veçanti Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”, thuhet në komunikatë.
Takimet e para pritet të fillojnë rreth orës 14.























