Kurti: Zgjidhja e vetme është zbatimi pa kushte i Marrëveshjes në Ohër
M.Shefkiu/RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar të enjten në Vatikan, se zgjidhja dhe rruga përpara në dialog është zbatimi i plotë, i shpejtë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj të dakorduar me 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kosova, sipas Kurit, është dëshmuar në vazhdimësi palë konstruktive për gjatë gjithë procesit dhe gjatë fazave të negocimit të marrëveshjeve.
Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë takimit me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Paroli.
Në Vatikan, Kurti u shoqëruar nga përfaqësuesi i Republikës së Kosovës për Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Kryeministri Kurti e njoftoi kardinalin Paroli, për sukseset e Kosovës dhe progresin në Kosovë, sidomos në dy vitet e fundit, si dhe për orientimin Euro-Atlantik të saj dhe për përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave demokratike.
Në takim u diskutua për raportet historike me Vatikanin dhe për historikun e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.
Kryeministri theksoi rëndësinë e avancimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve dhe rolin pozitiv që njohja nga Vatikani do ta kishte për shtetin, shoqërinë dhe popullin e Kosovës, për rajonin dhe për paqen e qëndrueshme, njofton Kryeministra kosovare.
Kurti dhe sekretari i Shtetit, Kardinali Paroli folën edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për zhvillimet e fundit në kuadër të tij.
Kujtojmë se pas këtij takimi, kryeministri Kurti ka përfunduar qëndrimin e tij në Itali dhe vizitën e tij zyrtare në Vatikan. Nga atje ai ka udhëtuar për në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell. Ky i fundit në takim ka ftuar edhe presidentin serb, Vuçiq.























