Një muaj paraburgim, ish- gardianit serb të dyshuar për krime lufte
BKT
Lajme

Një muaj paraburgim, ish- gardianit serb të dyshuar për krime lufte

M.Sh/RTKlive

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit D.M për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile. Ky vendim ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se D.M ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Gjykata thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri D.M, ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, “konkretisht nga data 24.05.1999 deri me 10.06.1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtar tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare, në atë mënyrë që pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit”.

“Fillimisht (gardianët) kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma etj, dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar e lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftimin e GJTHP.

Kundër këtij aktvendimi, thuhet se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


MË SHUME NGA Lajme