Abdixhiku nuk merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja
BKT
Lajme

Abdixhiku nuk merr pjesë në takimin e ftuar nga presidentja

M.Sh/RTKlive

Pas refuzimit të Memli Krasniqit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të marrë pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar për situatën në vend, kundër pjesëmarrjes është deklaruar edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Refuzimi i Abduxhikut thuhet se vjen pasi kryeministri Albin Kurti ka krijuar qasje konfliktuoze ndaj ndërkombëtarëve.

Refuzimin e kryetarit të LDK-së e ka konfirmuar për mediat vendore, zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi.

Në përgjigjen e Abdixhikut thuhet se partia e tij ka përcjellë me shqetësim qasjen e papërgjegjshme të Kryeministrit të Kosovës në raport me aleatët tanë, SHBA, BE e NATO-s. Sipas LDK-së, qasja konfliktuoze e kryeministrit Kurti e ka rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Sipas Halimit, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja nuk mund të pranojë e as të tolerojë një përplasje të Kosovës me aleatët, duke shtuar se s’mund të jetë pjesë e diskutimeve për këtë çështje.

Edhe kryetari i PDK-së, Krasniqi ka shkruar në Facebook se i ka kthyer përgjigjen presidentes Osmani duke e njoftuar atë se e refuzon pjesëmarrjen në takim.

“Dje kam pranuar nga presidentja Osmani një letër me të cilën më ka ftuar në takim, pas një propozimi nga Kryetari i AAK-së. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë kam vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët. Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes sime, e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”, thuhet në reagimin e Krasniqit.

Kujtojmë se këtë takim e ka kërkuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke kërkuar nga presidentja inicimin e një takimi të përbashkët me liderët e partive politike për situatën në veri.


MË SHUME NGA Lajme