Osmani takon Hovenierin, bisedojnë për shtensionimin e situatës
E. Hoti/ RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier më të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, në takim u diskutua edhe për hapat e mëtejmë për shtensionimin e situatës dhe nevojën e bashkërendimit me partnerët.
Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e lirimit të menjëhershëm dhe pa kushte të policëve të Kosovës të cilët u kidnapuan nga Serbia brenda territorit të Kosovës.
Ajo po ashtu ka shprehur mirënjohje për qëndrimin e qartë të SHBA-ve sa i përket lirimit të policëve.
“Në takim u diskutua edhe për hapat e mëtejmë për shtensionimin e situatës dhe nevojën e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA ndajnë të njëjtin qëllim për një Kosovë të integruar në strukturat euroatlantike e me sovranitet dhe integritet territorial të pacenueshëm” , thuhet në njoftim.























