Kurti: Profesor Nimani, figurë kozmopolite
E. Hoti/ RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka shprehur ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe gjithë komunitetit kulturor për vdekjen e profesorit Shyqri Nimani.
Kryeministri Kurti, përmes një postimi në Facebook, vlerësoi se profesori Nimani është figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë.
“Me pikëllim mora lajmin sot për vdekjen e profesorit, dizajnerit grafik dhe autorit Shyqri Nimanit. Profesor Nimani është figura qenësore e fillesave dhe zhvillimit të dizajnit grafik në Kosovë si fushëveprim, ku ka qenë edhe bartës i proceseve të ngritjes profesionale e arsimore të gjeneratave të reja të kësaj fushe në vend".
Kurti tutje ka shtuar se si figurë kozmopolite,ai ishte nxitësi dhe organizatori kryesor në themelimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës, dhe të koleksionit të saj.
" Autor i shumë veprave mbi dizajnin grafik, tipografinë dhe artin në përgjithësi”, ka shkruar Kurti .
Kryeministri tha se profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“Në mesin e shumë kontributeve dhe veprave, profesor Nimani do të mbahet në mend edhe si kaligrafi i deklaratës origjinale të Pavarësisë së Republikës së Kosovës që është nënshkruar më 17 shkurt 2008".
"Me shumë kujdes dhe pasion puna e profesor Nimanit ka vazhduar e pandërprerë deri në ditët e fundit të jetës së tij”, ka shkruar Kurti.























