Hyseni: Borrell po tenton t`i qetësojë palët që t`i trajtojnë problemet
Emine Hoti/RTKLive
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell me një gjuhë të kujdesshme diplomatike po u kërkon Kosovës dhe Serbisë që të qetësohen dhe të ulen në dialog për të gjetur zgjidhje në disa çështje. Kështu mendon Flamur Hyseni, profesor i së Drejtës.
Ai ka folur në emisionin "RTK Prime", ku është diskutuar për takimet e sotme në Bruksel të përfaqësuesit Borrell me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
"Ky insistimi i Borrellit me një gjuhë pak më të kujdesshme diplomatike po e bënë që ndoshta t’u kërkojë palëve që të qetësohen dhe të ulen që t'i i trajtojnë ndaras tri procese: çështjen e policëve, çështjen e zgjedhjeve në veri dhe çështjen e Marrëveshjes. Po vërehet që është njëfarë koordinimi dhe ai tha që do të raportojë për gjendjen, por nuk dha shumë informacione nga takimi", është shprehur Hyseni.
Sipas tij, nuk mund të organizohen zgjedhje në kundërshtim me procedurat në fuqi edhe përkundër kërkesës diplomatike.
"Ne kemi edhe obligime ligjore si shtet. Ne nuk mund të organizojmë zgjedhje tani në kundërshtim me procedurat që i kemi në fuqi edhe përkundër kërkesës diplomatike, në këtë rast edhe të zotit Borrell. Ne nuk mund të anashkalojmë aspektet ligjore e procedurale të cilat saktë e përcaktojnë se si mund të shkohet tutje në zgjedhje", tha ai.
Ndërsa Visar Xani, analist ka thënë se ky takim ishte më i mirë se sa i dështuar, pra që të mos mbahej fare.
"Ndryshe ndoshta u mundua që të gjendet edhe njëfarë metode për t'u mbajtur takimi dhe për ta shpëtuar Serbinë nga pjesa që kishte refuzuar takimin dhe ky lloj formati e bindi Serbinë për të marrë pjesë në takimin e Brukselit", ka thënë ai.
Xani tha që në takim janë prekur çështje që ndihmojnë ndërmarrjen e veprimeve për stabilizimin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
“Nuk ishin diskutime për zbatimin e planit evropian, por ishte mënyra për të gjetur formulën për stabilizim në pjesën veriore. Zoti Borrell i përmendi zgjedhjet e parakohshme, tërheqjen e policisë dhe protestuesve në mënyrë paralele", u shpreh ai.























