Policia arreston një serb të dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në veri
E. Hoti/ RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar serb nga Mitrovica e Veriut për përfshirje në sulmin ndaj KFOR-it më 29 qershor në Zveçan.
Policia ka sqaruar se i dyshuari që është arrestuar sot me inicialet N. O., njihet me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.
Sipas policisë N. O dyshohet për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare - KFOR-it.
“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të realizuara nga Policia e Kosovës, sot në orët e paradites është arrestuar i dyshuari mashkull serb N. O., me vendbanim në Mitrovicë Veri, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, si i dyshuar për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare - KFOR-it”, njofton PK.
Arrestimi i të dyshuarit dhe shoqërimi në stacion policor sipas policisë është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 qershor 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore.
“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thotë se do të vazhdojë angazhimin dhe përkushtimin e saj për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.
Më 29 maj kishin mbetur të lënduar rreth 30 ushtarë të KFOR-it gjatë tentimeve për t’i shpërndarë protestuesit e grumbulluar pranë objektit komunal në Zveçan.
Protestat në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në to.























