Rama: Pa lirimin e tre policëve të Kosovës nuk ka de-eskalim të situatës
V. Thaçi / RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media, ka deklaruar se situata mes Kosovës dhe Serbisë për çdo ditë po degradon në një spirale absurditeti shumë të rrezikshme.
Rama bëri thirrje për lirimin pa kushte të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, që janë arrestuar nga Serbia, duke cilësuar mbajtjen e tyre në paraburgim si të pajustifikueshme dhe të patolerueshme.
Tutje, Rama ka ripërsëritur se pa kthimin e tre policëve të Kosovës në shtëpi, nuk ka mundësi për përparim në dialog apo de-eskalim konkret, duke shtuar se nuk mund të ketë as normalitet në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë pa lirimin e tyre.
“ Ata nuk kanë kryer asnjë krim, edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit, dihet botërisht që për kalim të paligjshëm të kufirit, njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht. Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme dhe përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore (Serbisë) për mbajtjen e 3 policëve të huaj, duke ngritur zërin për arrestimin e disa shtetasve serbë nga policia e Kosovës, është tejet shqetësuese”, tha Rama.
Kryeministri Rama bëri me dije se dy ditë më parë u ka nisur një letër Presidentit Emmanuel Macron, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re konkrete të Francës dhe Gjermanisë me mbështetjen e SHBA-së për zbatimin e këtij plani.
Ai theksoi se jemi në kushtet kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të shkojnë deri në përplasje të armatosur, gjë që, sipas tij, do të ishte katastrofike dhe do përfshinte medoemos KFOR-in.
Ndryshe, Rama shprehi gatishmërinë për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ai u shpreh se ngrirja e programeve të caktuara mes SHBA-së e Kosovës dhe shkëputja e fijeve të Prishtinës me bashkësinë euroatlantike, është katastrofë.
“Të vijë dita të diskutohet luajaliteti i partnerëve strategjikë ndaj Kosovës, është keq, shumë keq. Ju mendoni se mua më jep kënaqësi fakti se meqë s’jam dakord me Albinin atij i kthehen mbrapsht dhe vizitat e planifikuara në zyrat e homologëve në Amerikë. Më duket e tmerrshme. Programe të caktuara të bashkëpunimit SHBA-Kosovë kanë ngrirë. Në këtë rast është katastrofë që të këputen lidhjet aq të rëndësishme me bashkësinë euro-atlantike. Kështu që unë jam i gatshëm të takohem me Albinin në çdo moment. Në nivelin konceptual kemi probleme të mëdha”, tha Rama.
Rama sqaroi edhe njëherë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kthehen në pikën zero nëse Beogradi nuk liron 3 policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe.























