Konjufca: Zgjedhjet në veri, me procedura kushtetuese
M.Miftari/RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, për takimin në Bruksel lidhur me gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri të vendit, tha se ende s’ka pajtim për zgjidhjen e situatës në veri, me gjithë takimet në Bruksel, të mbajtur të enjten, teksa shtoi se dakordimi për zgjedhjet në katër komunat veriore është në nivelin politik, por jo edhe për mënyrën se si të arrihet ulja e tensioneve atje.
“E vetmja pajtueshmëri e qartë ishte ajo e nivelit politik jo konkret edhe praktik se si të ecet përpara”, theksoi Konjufca, derisa shtoi se pajtueshmëria në nivelin politik ishte emëruesi i përbashkët që ka karakterizuar takimi i së enjtes në Bruksel.
Kurse për kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeparlamentari Konjufca tha se janë të papranueshme për Kosovën
“Nëse shkohet në zgjedhje të reja, do të shkohet me procedura kushtetuese, jo me procedura antidemokratike, se Kosova n shkuarje në zgjedhje të reja e ka opsionin e vet ligjor, demokratik, civil”, sqaroi Konjufca, duke kundërvënë paralelen me opsionin e Serbisë, që është jodemikratike.
Konjufca: Serbia po përpiqet të krijojë një autonomi territoriale
Konjufca akuzoi Serbinë se po përpiqet të krijojë një autonomi territoriale përmes veprimeve që ka ushtruar deri tani që nga tërheqja nga funksionet prej institucioneve shtetërore të Kosovës e deri te shpërfaqja e dhunës kundrejt Policisë së Kosovës, KFOR-it, etj.
“Përmes krijimit të vakumit institucional në pjesën veriore të Kosovës prej nëntorit të vitit të kaluar, pastaj me ushtrimin e dhunës të grupeve të organizuara të armatosura, duke sulmuar ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës, për ta qitur Kosovën para një akti të kryer –që është një zgjidhje politike në formë të një autonomie territoriale”, deklaroi Konjufca.
Ai më tej shtoi se pikërisht kjo ishte arsyeja që institucionet e shteti kanë vepruar në bazë të ligjshmërisë e kushtetutshmërisë në veri të vendit, si rrugë e vetme e drejtë.
Megjithatë, kryeparlamentari Konjufca vuri në dukje dallimin në mes të bandave kriminale që marrin urdhra nga Serbia për ta destabilizuar veriun dhe të popullit serb që jeton atje, duke shtuar se qeveria e Kosovës është duke e bërë këtë dallim, derisa përmendi emra të përveçëm të të arrestuarve kohëve të fundit në veri të vendit.
Konjufca mes tjerash tha se do t’i bindin ndërkombëtarët për veprimet e institucioneve të vendit, siç u shpreh ai, se nuk ka të bëjë me civilë serbë, por është një veprim në të drejtën e ligjshmërisë e kushtetutshmërisë, duke përmendur zgjedhjet lokale atje, që ”pasi janë quajtur zgjedhjet legjitime, kryetarët e kanë të drejtën e tyre për ta ushtruar përgjegjësinë e tyre nga vendi i punës”.
Policët e rrëmbyer të lirohen menjëherë e pa kushte
Për rrëmbimin e policëve të Kosovës në brendi të territorit të Kosovës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se lirimi i tyre të bëhet menjëherë e pa kushte.
“Së paku tri shtete kanë qenë të qarta, DASH amerikan, Berlini zyrtar e Londra zyrtare lidhur me rrëmbimin e policëve të Kosovës, që janë marrë peng në brendi të territorit të Kosovës, që ata duhet të kthehen pa kusht,”, derisa shtoi se Serbia nuk respekton këto thirrje të ndërkombëtarëve, duke dëshiruar që të krijojë një levë më të madhe të kushtëzimit ndaj Kosovës.
Lidhur me këtë kryeparlamentari Konjufca tha se kjo nuk është një temë për të cilën bëhen pazare, por duhet të veprohet ashtu siç kanë kërkuar SHBA-ja Britania e Madhe e Gjermania.
Refuzimi i Krasniqit e Abdixhikut për ta takuar presidenten Osmani, qasje e gabuar
Ftesës së presidentes Osmani drejtuar partive opozitare, të cilën e kanë refuzuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i pari i Kuvendit të Kosovës, Konjufca, tha se qasja e tyre ka qenë e gabuar.
“Nuk mund të ankohesh ndaj saj se nuk po e luan rolin e saj dhe në të njëjtën kohë ta minosh përpjekjen e saj fisnike për t’i ndihmuar vendit, për të grumbulluar forcat politike që të merren mendimet e tyre se si të ecet përpara”, deklaroi Konjufca.
Rrëzimi i Qeverisë Kurti, e domosdoshme ardhja e Listës Serbe
Lidhur me mocionin e shtruar nga AAK për rrëzimin e Qeverisë Kurti, Konjufca tha se Kosova ka procedurat e veta demokratike e shtetërore, duke vënë në pah, siç tha ai, sikletin e opozitës.
“Për ta rrëzuar Qeverinë Kurti është e domosodoshme ardhja e Listës Serbe dhe kjo është arsyeja që opozita nuk sheh perspektivë të këtij mocioni”, deklaroi Konjufca.























