“Vidovdani” nuk do mbahet këtë vit në Gazimestan
E. Hoti/ RTKlive
Ceremonia tradicionale e “Vidovdanit” (Beteja e Kosovës) nuk do mbahet në lokacionin e zakonshëm – tek monumenti në Gazimestan, por në Manastirin e Graçanicës më 28 qershor. Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi Manastiri i Deçanit.
Lidhur me këtë, një njoftim është lëshuar edhe nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ku mes tjerash thuhet se këtë e vendim e kanë marr për arsye se sipas tyre, Policia e Kosovës nuk mund të sigurojë kushte për siguri.
“Duke marrë parasysh situatën jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë, ku populli ynë aktualisht po jeton në një gjendje të pasigurisë dhe ndjen mungesë të të drejtave dhe lirive elementare, veçanërisht pas serisë së fundit të arrestimeve dhe keqpërdorimeve të serbëve të paraburgosur, si peshkop dioqezan, me përgjegjësi të plotë baritore, kam marrë vendimin e mëposhtëm: që ‘Vidovdani’ këtë vit të mbahet në Manastirin e Graçanicës”, thuhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë edhe mbrojtje shtesë nga KFOR-i gjatë festimeve të këtij viti.
























