Qetësi në veri një ditë pas sekuestrimit të armatimit| Video
BKT
Lajme

Qetësi në veri një ditë pas sekuestrimit të armatimit| Video

Edina Avdiu/ RTK

Një ditë pasi Policia e Kosovës sekuestroi sasi të madhe armatimi, situata në veri të vendit ishte e qetë, megjithëse në komunat veriore edhe këtë të shtunë grupet e serbëve u mblodhën sërish për të protestuar pranë objekteve komunale. Ndonëse në numër më të vogël, ata po vazhdojnë të qëndrojnë në tendat e vendosura tash e gati një muaj, që kur filluan të mblidhen për të kundërshtuar kryetarët e rinj.

Policia e Kosovës të premten ka identifikuar një veturë me targa të Beogradit në të cilën janë gjetur sasi e madhe e armatimit, përfshirë zolla, osa, eksplozivë, çanta e uniforma ushtarake.

Lloji i njëjtë i armëve që u sekuestrua të premten në afërsi të Komunës në Zveçan, dyshohet se ishte përdorur edhe në protestën e dhunshme më 26 maj, ku mbetën të plagosur mbi 30 ushtarë të KFOR-it.

Në këtë qytet edhe të shtunën serbët lokalë u mblodhën sërish për të protestuar pranë objektit të Komunës.

Ndonëse në numër më të vogël, ata po vazhdojnë të qëndrojnë në tendat e vendosura tash e gati një muaj, që kur filluan të mblidhen për të kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri në këtë Komunë.

Pak metra larg tyre, ushtarët e KFOR-it ruajnë objektin.

Ndërkohë që situata gjatë ditës ishte krejtësisht e qetë në Mitrovicë të Veriut, aty ku protestat ishin të rralla që nga 26 maji kur filluan tensionet në veri të vendit.


MË SHUME NGA Lajme