Vërshimet në Pejë, Asllani: Aktualisht situata është e qetë
M.Miftari/RTKlive
(Plotësuar, ora 11:35)Aktualisht, nënkryetari i Pejës, Fatmir Asllani, konfirmon se situata në Pejë është e qetë, derisa shtoi se ekipet kanë qëndruar deri në 05:00 të mëngjesit të sotëm, duke verifikuar nëpër veturat që ranë në kanal se mos ka persona të zhdukur.
Fatmir Asllani, nënkryetar në komunën e Pejës, është shprehur se nuk e mban mend të ketë ndodhur ndonjëherë në qytetin e tij shi më i madh, brenda pak kohe, sesa në ditën e shtunë, ku si pasojë, një nënë, rreth moshës 30-vjeçare humbi jetën, së bashku me fëmijën e saj të vetëm, 5-vjeçar, në lagjen “Asllan Çeshme”, në Pejë.
Veç kësaj, nga vërshimet e mbrëmshme dy persona janë të lënduar në lagjen “Fidanishte”, si dhe dëme të mëdha materiale.
“Ne deri në orën 05:00 në mëngjes kemi qenë me të gjitha ekipet emergjente në terren, ka ardhur edhe FSK-ja dikur, pasi janë gjetur kufomat kanë ardhur edhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme, zëvendësministri i MPB-së, ku kemi verifikuar nëse ka të lënduar. Në ato momente interesimi ynë ka qenë veç për njerëzit nëse ka të lënduar, mos ka të zhdukur. Kemi parë shumë dëme materiale, makina, e të tjera”, sqaroi nënrkuyetari Asllani, teksa shtoi se në ato çaste kryesorja ishte shpëtimi i njerëzve, nëse ka ndonjë të lënduar.
“Ishim të interesuar mos ka edhe të tjerë të lënduar, sepse ka pasur edhe disa vetura që kanë ra në kanal, të cilat i kemi verifikuar një nga një, mos ka njerëz në ato vetura dhe fatmirësisht nuk ka pasur të tjerë”, deklaroi nënkryetari i Pejës, Fatmir Asllani.
Ai më tutje tregoi për viktimat, që pësuan nga vërshimet.
“Aq sa dimë ne ata kanë qenë në shtëpi dhe shtëpia ka qenë shumë afër jazit që ka vërshuar dhe vrulli i madh i ujit që ka ardhur e ka marrë edhe shtëpinë. Supozohet njëfarë dige që ka qenë e ndërtuar në lagjen në vitet 50-60, ajo është dëmtuar dhe e ka sjellë vrullin e madh të ujit”, tha Asllani, derisa shtoi se sipas fqinjëve, nënë e bir kanë qenë në shtëpi, që kufoma e nënës ishte gjetur afër një shtëpie të fqinjëve.
Nënkryetari i Pejës, lidhur për dëmet materiale, tha se ekipi gjegjës bën vlerësimin e dëmeve materiale, duke shtuar se aktualisht gjendja është e qetë, por me dëme të mëdha materiale.
(Plotësuar, ora 07:55) Një fëmijë 5 vjeç dhe nëna e tij humbin jetën nga vërshimet në Pejë
Nga vërshimet e djeshme në Pejë, për pasojë kanë humbur jetën një djalë pesë vjeç dhe nëna e tij.
Sipas Policisë së Kosovës, rajoni Pejë, ngajrja ka ndodhur në lagjen “Asllan qeshme”.
Ndërkaq, siç bëhet e ditur, së pari është konfirmuar vdekja e djalit pesë vjeç, derisa nëna e tij konsiderohej e zhdukur, por që pas kërkimeve nga njësitet policore, rreth ores 01:20, të dates 24.06.2023, është gjetur edhe nëna pa shenja jete.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan qeshme” njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet Policore rreth orё 01:20, tёdatës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, në lagjen “Fidanishte”, dy persona janë lënduar si pasojë e vërshimeve.
E lidhur me ngjarjen e rëndë në Pejë, ka reaguar kryetari I komunës, Gazmend Muhaxheri, i cili tha se ndiehej I tronditur na kjo që ka ngjarë në Pejë.
Ai perms rrjetit social Facebook, ka shkruar se kjo situate është e rëndë, tragjike dhe e hidhur, duke shprehur ngushëllimet e solidaritetin familjes që ka pësuar humbjen e fëmijës dhe nënës së fëmijës.
“Jam shumë i tronditur për rastin tragjik që ka ndodhur sonte në Pejë si pasojë e vërshimeve, ku ka pasur edhe humbje jete të çmuara! Kjo është një situatë e rëndë dhe e hidhur për qytetin tonë. Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore.”, shkroi Muhaxheri në Facebook.























