Sveçla: Shkelësit e ligjit ballafaqohen me drejtësinë
BKT
Lajme

Sveçla: Shkelësit e ligjit ballafaqohen me drejtësinë

M.Miftari/RTKlive

Situata e sigurisë në veriun e vendit tonë vijon të mbetet e brishtë, mirëpo, përkundër të gjitha rrethanave dhe sfidave me të cilat ballafaqohemi, Policia e Kosovës dhe të gjithë aktorët e sigurisë po vazhdojnë të angazhohen maksimalisht dhe suksesshëm për ofrimin e sigurisë për vendin dhe të gjithë qytetarët tanë pa dallim.

Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, përmes rrejtit social Facebook, teksa shtoi se Republika e Kosovës vlerësohet nga të gjithë si shteti më demokratik në Ballkan, duke ruajtur dhe promovuar vlerat dhe parimet bazë të të drejtave të njeriut.

“Çdo i burgosur ka të drejtat e tij të garantuara me ligjet tona e me ato ndërkombëtare, teksa për veprat dhe shkeljet ligjore ballafaqohet me drejtësinë. Ky për ne është një parim themelor i cili vlen ndaj të gjithëve dhe pa dallim etnie”, ka nënvizuar ministri Sveçla, derisa vuri në dukje një ngjarje, siç u shpreh ai, denigruese, për ç’gjë është marrë masa e suspendimit nga detyra të një zyrtari policor në Drejtorinë Rajonale të Mirtrovicës së Jugut, ndaj të cilit po vijojnë procedurat hetimore nga IPK .

“Kam përgëzuar dhe vazhdoj të përgëzoj secilin aksion të organeve tona që bëhet me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë e të sigurt, për mirëqenie, barazi e drejtësi për të gjithë dhe pa dallim. Mirëpo, inçizimi i të arrestuarit apo të burgosurit është absolutisht i papranueshëm dhe është i dënueshëm me të gjithë mekanizmat ligjor në dispozicion. Prandaj, pa asnjë hezitim dje kam ftuar Inspektoratin Policor të Kosovës që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast”, thuhet, mes tjerash, në reagimin e ministrit Sveçla.


MË SHUME NGA Lajme