Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës
V. Thaçi / RTKlive
Në Dhomat e Specializuara në Hagë vazhdon sot nga ora 09.30 procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.
Deri tani në këtë proces gjyqësor të Shalës janë dëgjuar shtatë dëshmitarë.
Ndyshe në gjykimin e Pjetër Shalës, Trupi Gjykues, më 25 maj 2023 miratoi kërkesën e mbrojtësit të viktimave për ndryshimin e masave mbrojtëse për viktimat pjesëmarrëse me qëllim lejimin e nxjerrjes së disa informacioneve për ekspertin që është caktuar të vlerësojë dëmet materiale që pretendohet se kanë pësuar viktimat në këtë çështje gjyqësore, raporton RTKlive.
Trupi Gjykues gjykoi se nxjerrja e disa informacioneve për ekspertin nuk përbën rrezik për viktimat pasi informacioni do të nxirret në kuadër të një vlerësimi profesional që do të kryhet nga një ekspert i pavarur që është angazhuar në të shkuarën në çështje gjyqësore të DHSK-së. Krahas kësaj, Trupi Gjykues vëren se viktimat kanë dhënë pëlqimin e tyre.
Dëshmitari i shtatë i thirrur nga Prokuroria dëshmoi në gjykimin Shala javën e kaluar. Dëshmitari dha dëshmi nën masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private.
Trupi Gjykues bëri me dije se, sidoqoftë, pas mbarimit të dëshmisë së dëshmitarit, transkripti përkatës do të rishikohet dhe do të bëhet publik, për aq sa është e mundur. Vendimi i Trupit Gjykues për mbajtjen e seancave private merret rast pas rasti dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe identiteteve të dëshmitarëve dhe viktimave























