Haradinaj: Kurti e Vuçiq s’mund t’i ikin përgjegjësisë
J.Musliu/RTKlive
Për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se duhet ta falënderojmë diplomacinë amerikane.
Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë
Duke e mirëpritur lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,deklaroi se kjo nuk nënkupton se ky rast konsiderohet i mbyllur.
“Lirimi i tre policëve të Kosovës është lajm i mirë, para së gjithash për familjet e tyre por edhe për Kosovën, por kjo nuk nënkupton që kjo ngjarje mund të konsiderohet e mbyllur vetëm me lirimin e tyre”, tha ai.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre.
“As Presidenti i Serbisë e as Kryeministri i Kosovës, nuk mund t’i ikin përgjegjësisë së tyre, e cila çoi në rrëmbimin e policëve dhe mbajtjen e tyre në paraburgim e pa asnjë faj për më shumë se dhjetë ditë”, është shprehur Haradinaj.























