Mehaj: Me Iowa-n kemi bashkëpunim të shkëlqyer
F. Sertolli / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se të hënën ka takuar delegacionin nga shteti i Iowas me në krye Guvernatoren Kim Reynolds, me të cilën, siç shkruan ai, kanë shkëmbyer pikëpamjet sa i përket zhvillimeve në vend.
Po ashtu, sipas tij, në këtë takim kanë diskutuar edhe rreth mundësisë së thellimit të bashkëpunimit reciprok me shtetin e Iowas në shumë drejtime ushtarake, si shtet mik i yni me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyer.
Ndër të tjerash, Mehaj thotë ta këtë njoftuar guvernatoren për zhvillimin e FSK-së, kontributin e Republikës së Kosovës në evakuimin e refugjatëve afgan, si dhe gatishmërisë për të ofruar mbështetje si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
“Si kontribues të rëndësishëm në zhvillimin e Republikës së Kosovës si shtet demokratik, shpreha vlerësimin tim të lartë për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e palëkundur mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në funksion të paqes dhe mbrojtjes së vlerave demokratike”, ka shkruar Mehaj.
Ndërsa edhe njëherë, Mehaj ka theksuar, faktin që Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës, duke përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes, krahas zhvillimit të vendit mbeten të përkushtuara në integrimin e Kosovës në BE e NATO.
“Mirëpresim përkrahjen e SHBA-ve në procesin e Programit të Partneritetit për Paqe dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar ministri Mehaj.























