Sekretari Blinken i kërkon Kurtit dhe Vuçiqit uljen e tensioneve në veri
B.H. | RTKlive
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se SHBA-ja e përkrah planin trepikësh të BE-së për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Ai një gjë të tillë e bëri të ditur pas bisedave të mbrëmshme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Sot kam folur me kryeministrin kosovar Albin Kurti për të kërkuar shtensionimin në veri të Kosovës dhe kthimin e menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani trepikësh i BE-së është rruga përpara”, ka shkruar ai në orët e para të së martës në “Twitter”.
Ndërkaq sa i përket bisedës me presidentin serb, Sekretari amerikan ka thënë se ka folur për rëndësinë e uljes së menjëhershme të tensioneve, derisa e ka mirëpritur lirimin e tre policëve kosovarë nga autoritetet e Serbisë.
“Ne mirëpresim lirimin e sotëm të policëve të Kosovës dhe vazhdojmë të mbështesim fuqishëm planin trepikësh të BE-së si rrugën më të mirë përpara”, ka shkruar Blinken.
Plani trepikësh i BE-së parasheh shtensionimin e situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimin në dialog të Kosovës dhe Serbisë.























