Kurti: Zvogëlimi i policisë në veri në proporcion me vendosjen e rendit
BKT
Lajme

Kurti: Zvogëlimi i policisë në veri në proporcion me vendosjen e rendit

B. H. | RTKlive

(E plotësuar) Për bisedën e kryeministrit Albin Kurti me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka njoftuar edhe ekzekutivi.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, thuhet se Kurti e falënderoi presidenten Von der Leyen për mbështetjen ndaj Kosovës për zhvillim ekonomik, demokraci moderne dhe drejtësi ligjore, si dhe e njoftoi atë për arritjet dhe sukseset e vendit tonë në shumë fusha.

“Ai tha se shpreson që të trajtohet sa më parë aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, sepse me padurim presim që t’i marrim pyetjet e shumta nga Komisioni Evropian dhe t’ju përgjigjemi atyre sinqerisht me reforma të thella të brendshme, si shteti më pro-evropian i Ballkanit Perëndimor që jemi”, citohet kryeministri Kurti.

Në këtë bashkëbisedim, sipas njoftimit, u diskutua edhe për domosdoshmërinë për shtensionim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës dhe për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë përmes zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

“Më tej, kryeministri Kurti e informoi presidenten e Komisionit Evropian për konfiskimin e armatimit të shumtë para katër ditëve në Zveçan në një veturë me targa të Beogradit, në vendin ku para katër javëve u ushtrua dhunë brutale mbi ushtarët e KFOR-it, policët e Kosovës dhe gazetarët”, thuhet në njoftim.  

Kurti po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për zvogëlimin e pranisë së policisë në ndërtesat komunale në veri gradualisht e në proporcion me vendosjen e rendit dhe ligjit, gjë që njëkohësisht do të mundësonte fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të parakohshme demokratike në këto komuna.

Von der Leyen bisedon me Kurtin, kërkon shtensionim dhe kthim në dialog

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin Albin Kurti.

Ajo nëpërmjet një postimi në “Twitter” ka theksuar se në bisedë me Kurtin ka theksuar nevojën urgjente për shtensionim dhe kthim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë ditës do të bisedojë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


MË SHUME NGA Lajme