Borrell: Shtetet e BE-së po e humbin durimin me situatën Kosovë-Serbi
B. H. | RTKlive
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një konferencë të përbashkët në Bruksel me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se është urgjente të zgjidhet situata e tensionuar në veri të Kosovës dhe se shtetet anëtare të BE-së janë duke e humbur durimin ndaj kësaj situate.
“E kam bërë të qartë dhe ishte qëndrim i shteteve anëtare dje që palët duhet ta shtensionojnë situatën dhe të gjejnë zgjidhje përpara bazuar në udhërrëfyesin evropian që u është propozuar në tavolinë. Kjo situatë kërkon që ne të marrim masa në mënyrë urgjente dhe shtetet anëtare janë dakord me këtë urgjencë. E kanë humbur durimin përpara kësaj situate", ka theksuar Borrell.
Ai tutje është shprehur i lumtur për progresin e Shqipërisë në ecurinë e saj drejt integrimit evropian.
“Jam i lumtur të shoh se Shqipëria ka qenë në harmonizim të plotë me politikën e BE për politikën e sigurisë për masat kufizuese në linjë me vlerat tona dhe e ka bërë Shqipërinë një partner shumë të mirë. Ky pozicion e bën Shqipërinë një target, por Shqipëria do ketë mbështetjen e BE-së në këta aspekt. Po punojmë për rritjen e rezistencës së Shqipërisë dhe rajonit, sa i takon sulmeve kibernetike”, ka shtuar Borrell.
Ndërkaq, kryeministri Rama ka shprehur gatishmërinë për të punuar me Bashkimin Evropian për shtensionimin e situatës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
"Ishte kënaqësi të ndanim së bashku opinionet tona për diçka kaq shqetësuese dhe për të cilën ju personalisht po punonin fort që ka të bëjë me stabilitetin e rajonit dhe progresin, ecurinë rajonale. Ne jemi pjesë e një rajoni që ka vuajtur shumë dhe s’mund të ketë disavantazh tjetër. Në këtë rajon ngjarjet janë të ndërlidhura dhe ne s’mund të shohim vetëm pragun tonë. Keni ndarë me ne prova se durimi ka humbur për shtete anëtare të BE dhe uroj shumë që konferenca që do të zhvillohet me liderët e dy palëve do të tërheqë vëmendje dhe do të sjellë liderë nga shtetet anëtare të BE-së e SHBA-së dhe të mos i lejojmë të largohen nga konferenca pa një marrëveshje të përbashkët”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur i lumtur që më në fund u liruan tre policët e marrë peng. “Situata është urgjente dhe ne jemi të angazhuar të punojmë me ju që të mos lejojmë që kjo situatë të ndikojë negativisht te rajoni", ka shtuar Rama.























