Lajçak para ministrave të BE-së: Zgjedhje në veri pa ndikim nga Beogradi
BKT
Foto: RTKlive
Lajme

Lajçak para ministrave të BE-së: Zgjedhje në veri pa ndikim nga Beogradi

Jeton Musliu/RTKlive

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka raportuar sot para Komitetit të jashtëm të Parlamentit Evropian. I gjithë debati në këtë rast kishte të bënte me situatën në veri, kontekstin, pasojat dhe mënyrat se si të dilet nga kjo krizë.

Korrespodentja e RTK-së në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, duke raportuar në edicionin qendror të lajmeve në RTK, deklaroi se Lajçak në këtë raportim, ishte më i detajuar sa u përket kërkesave konkrete që BE-ja ka ndaj Kosovës e Serbisë.

Ajo tha se përveç planit të BE-së prej tre pikave, dolën në pah edhe disa kërkesa që i janë drejtuar edhe Beogradit zyrtar, i cili duhet të sigurojë pjesëmarrjen e serbëve lokalë, në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme.

Lajçak më tej ka shprehur qëndrimin e BE-së, i cili kërkon nga Beogradi zyrtar që këta serbë të jenë të lirë të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mos jenë të intimiduar nga askush, por që edhe Serbia të bashkëpunojë e ofrojë informata në përndjekjen eventuale penale ndaj sulmuesve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë protestave në veri të Kosovës.

Në këtë rast si diçka interesante, korrespodentja Tuhina tha se ishte fakti që Lajçak pranoi se pavarësisht mungesës së rezultatit konkret në takimin e javës së kaluar mes liderëve të Kosovës e Serbisë, përkatësisht kryeministrit Albin Kurti e presidentit Aleksandar Vuçiq, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, megjithatë ata të dy janë shprehur se janë të vetëdijshëm që duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme për katër komunat në veri.

Ndërkohë, sipas Ljaçak, tani po analizohen mënyrat se si të shpallën këto zgjedhje.

Tuhina tha se sipas Lajçakut, janë dy mënyra. E para është që kryetarët aktualë të komunave të japin dorëheqje dhe mënyra e dytë është me peticion.

Lajçak ka deklaruar se mënyra e dytë, pra me peticion, ndonëse është proces më i gjatë, politikisht është më i lehtë e gjithashtu edhe më i qëndrueshëm.

Andaj ai ka thënë se tani po punohet në këtë drejtim.Lajçak më tej ka theksuar se do të ketë pasoja nëse nuk ndodhë shtensionimi i situatës, se situata ajo është shumë serioze dhe me rrezik që të shpërndahet edhe në rajon.

“Lajçak tha se nëse nuk ndërmerren hapat konkret, mund të ndodhë ndonjë krizë e re e që mund të ketë pasoja dhe eventualisht edhe viktima. Kështu së paku u shpreh ai”, citoi Tuhina, emisarin Lajçak.

Prezent në këtë debat ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Komisariatit për Fqinjësi të Mirë e Zgjerim i cili ka konfirmuar se në ditët në vijim edhe formalisht do të dilet me masa konkrete ndaj Qeverisë së Kosovës.

Tuhina tha se këto masa janë paralajmëruar që para dy javësh, por tani ai i ka precizuar se bëhet fjalë me anulimin e tërësishëm të të gjitha kontakteve dypalëshe, suspendimin e të gjitha programeve financiare për Kosovën, përfshirë këtu edhe nënshkrimin e kontratave në procesin e prokurimit si dhe suspendimin e të gjitha takimeve të parapara në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Duke cituar Drejtorin e Përgjithshëm të Komisariatit për Fqinjësi të Mirë e Zgjerim, Tuhina specifikoi se megjithat ai ka thënë se këto masa janë të përkohshme, të kthyeshme dhe se priten hapa konkret, sidomos nga Qeveria e Kosovës, drejt shtensionimit të situatës.


MË SHUME NGA Lajme