Abdixhiku: Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht
BKT
Lajme

Abdixhiku: Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht

B. H. | RTKlive

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vazhdim do të paraqesë planin e këtij subjekti politik për siç ka thënë kapërcimin e izolimit dhe krizës. Ai njëherësh ka kritikuar qasjen e  kryeministrit Albin Kurti, teksa ka theksuar se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht.

“Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën”, ka shtuar tutje kreu i LDK-së.

Sipas tij Kosova ka një rrugë të re, e cila e dërgon shoqërinë tonë, gjeneratat e tashme e të ardhme drejt familjes euroatlantike. Një rrugë që sipas tij fiton përballë Serbisë brenda e ndërkombëtarisht pa dallim.

“Kjo rrugë nuk ka Albin Kurtin në të. Këtë rrugë duhet ta bëjmë ne. Për këtë rrugë na duhet ndihma e të gjithëve. E atyre që besojnë në Republikën, në rrugëtimin euroatlantik e në fundamentet bazike të kësaj shoqërie”, ka theksuar Abdixhiku.

Ai ka thënë se gjatë ditëve në vijim, do të ftojë përfaqësues të shoqërisë civile, të akademisë, të sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar siç e ka quajtur ai ‘rrugën e vërtetë’.

“Do t’u prezantoj edhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot. Kosova mundet më mirë. Kosova meriton më shumë”, ka përfunduar Abdixhiku.


MË SHUME NGA Lajme