Shtetasit e Singaporit s’kanë nevojë për vizë hyrëse në Kosovë
BKT
Lajme

Shtetasit e Singaporit s’kanë nevojë për vizë hyrëse në Kosovë

J.Musliu/RTKlive

Kosova ka vendosur që të lehtësojë hyrjen në territorin e saj të shtetasve të Singaporit. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kjo e fundit vendosi që shtetasit e Singaporit të mos kenë nevojë për të marrë vizë për të hyrë, qëndruar apo kaluar transit nëpër Kosovë.

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke arsyetuar fillimisht propozimin para kabinetit qeveritar, tha se Singapori nuk rezulton në listën e shteteve ndaj të cilave Kosova nuk aplikon regjim të vizave, andaj ka kërkuar që të shtohet në këtë listë.

“Përmes këtij plotësim-ndryshimi, shtetasve të Singaporit u mundësohet të lirohen nga pajisja me vizë për hyrje, transit apo qëndrim në Kosovë për 90 ditë, brendaperiudhës prej 6 muaj”, tha ajo.

Gërvalla u shpreh se regjimi pa viza ndaj shtetasve të Singaporit do të bëhet në formën si është e përcaktuar për shtetasit e vendeve të tjera.

Përndryshe, pasaporta e Singaporit, bazuar në indeksin e fuqisë së pasaportave të vendeve të ndryshme të botës, radhitet ndër të parat në botë.


MË SHUME NGA Lajme