Sveçla: Vuçiq, ministri i Millosheviqit gënjeu, i biri s`iu ndalua tri herë
J.Musliu/RTKlive
Vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për shpalljen si terroriste të dy organizatave që veprojnë për vite të tëra në veri të vendit, e ka shpjeguar në konferencë për media, ministri i Punëve të Brendshme , Xhelal Sveçla.
Pas mbledhjës së ekzekutivit, ai foli për dy të ashtuquajturat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
Sipas tij, janë institucionet e sigurisë ato që vlerësojnë, dhe nëse ka edhe organizata tjera që duhet të shpallen terroriste, atëherë Qeveria do të ndërmarrë masa.
“Institucionet e sigurisë, por edhe partnerët tanë punojnë në hetimin e ngjarjeve që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin”, tha ministri.
“Në momentin që kanë dëshmi për organizim të strukturuar, Qeveria është e gatshme të ndërmarrë masa”.
I pyetur për qëndrimin kundërshtues të ministrit Nenad Rashiq që këto dy organizata të shpallën terroriste, ministri Sveçla tha se kolegu i tij nga Ministria për Kthim e Komunitete, i kishte si brengë hapat, por jo në nevojat që duhet ndërmarrë.
“Unë jam i bindur se këto hapa janë mëse të nevojshme në veprimet e këtyre kriminelëve, që godasin jo vetëm mediat e KFOR-in, por edhe qytetarët”, tha ai.
“Për nevojën, nuk e vinte në diskutim, por në hapat që duhet ndërmarrë”.
Më tej në këtë konferencë, ai foli edhe për rastin e djalit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u ndalua në Kosovë, gjatë qëndrimit të tij për të marrë pjesë në festën e “Shën Vidit” (Vidovdan).
Sipas ministrit Sveçla, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka gënjyer kur ka thënë se djali i tij u ndalua tri herë nga Policia e Kosovës.
Ministri tha se ai është larguar vetëm një herë. “Ai nuk është ndal tri herë por vetëm një herë në dalje të komunës së Prishtinës në drejtim të Serbisë”, tha ai, duke shtuar se të njëjtit i është kërkuar që ta heq bluzën në të cilën kishe shkrime provokative.
“Djali i Vuçiqit ka hyrë si qytetar, dhe sipas marrëveshjeve nuk ka procedura për qytetarët e thjeshtë”, tha ai.
“Atij i është kërkuar heqja e bluzës dhe me kaq ka përfunduar dhe ata janë larguar për Serbi”.
Ministri tha se të gjithë e dinë se Vuçiq ka qenë ministër i Propagandës së Millosheviqit. “Por që është edhe gënjeshtar, nuk e dinim”, tha Sveçla.
Sipas tij, djali i Vuciqit me shumë mundësi ka hyrë në Kosovë nëpërmjet pikës kufitare në Merdare dhe i është bërë kontrolla, e ku nuk i është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Po t’i ishte gjetur diçka e dyshimtë, padyshim se do të ndërmerreshin masa”.























