Menaxhmenti i RTK-së: Raporti i ZKA-së dëshmon se jemi në rrugë të mbarë
B. H. | RTKlive
Menaxhmenti i RTK-së konsideron se raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së dëshmon se transmetuesi publik është në rrugë të mbarë të konsolidimit e stabilitetit financiar dhe operativ, pavarësisht sfidave që mbesin evidente.
“Nga opinioni i kundërt dhënë nga auditorët vitin e kaluar, e që nënkupton se janë gjetur anomali të shumta, këtë vit raporti është klasifikuar me opinion të kualifikuar, gjë që dëshmon për përmirësim të dukshëm të operimit financiar dhe po ashtu edhe të performancës”, thuhet në komunikatën e menaxhmentit të RTK-së.
Sipas menaxhmentit të RTK-së dallimin më së miri e dëshmon përshkrimi i vitit të kaluar për opinion të kundërt të ZKA-së për vitin 2021, ku thuhet: “Sipas opinionit tonë, për shkak të efekteve të çështjes së përshkruar në paragrafin “Baza për Opinion të Kundërt”, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura, nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës së saj financiare si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2021, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF)”.
Ndërkaq raporti i fundit i ZKA-së, konstaton: “Sipas opinionit tonë, përveç efekteve të çështjes/ve së përshkruar në paragrafin Baza për Opinion të Kualifikuar, Pasqyrat Financiare të bashkangjitura për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2022, prezantojnë një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale të pozitës financiare të Radio Televizionit të Kosovës deri më 31 dhjetor 2022, performancës së saj si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2022, në përputhje me Standardet Ndërkombëtarë të Raportimit Financiar (SNRF)”.
Tutje sipas komunikatës së menaxhmentit të RTK-së, baza për opinion të kualifikuar i referohet kryesisht gjetjeve që kanë të bëjnë me çështje të trashëguara ndër vite.
“Nga 17 rekomandime në raportin e vitit të kaluar, 10 janë zbatuar plotësisht, 2 janë në proces, 4 të tjera nuk janë zbatuar ende, ndërkaq 1 nuk është më i aplikueshëm. Rekomandimet që nuk janë zbatuar ende kanë të bëjnë kryesisht me çështje të trashëguara, ndër to ka edhe çështje që i tejkalojnë përgjegjësitë e RTK-së. Këtu përfshihen rekomandimet që ndërlidhen me moszgjidhjen e çështjes së pronës”, thuhet tutje në komunikatë.
Nga gjithsejtë 12 rekomandime për këtë vit, ku vetëm gjysma janë të reja, RTK-ja nuk është pajtuar në dy raste, pasi konsideron se gjatë trajtimit të tyre nuk është marrë parasysh legjislacioni sekondar në fuqi me të cilin operon transmetuesi publik por edhe vet natyra e funksionimit të tij, e që ka si bazë edhe praktikat më të mira evropiane.
“Sidoqoftë, të gjitha gjetjet e ZKA-së do të adresohen dhe të gjitha rekomandimet do të zbatohen. RTK po ashtu gjatë vitit 2022 ka respektuar në tërësi rekomandimin që të mos kontraktojë kompani me kompensim pa e matur vlerën e tregut, por ka qenë e pamundur të shkëputen kontratat e trashëguara, pasi që do të dëmtohej RTK-ja. Për këtë arsye edhe e kemi ndryshuar Rregulloren e Marketingut dhe të gjitha kontraktimet janë bërë duke matur vlerën e tregut. Këtë gjë e ka konstatuar edhe ZKA-ja përmes auditimit të tri kontratave që janë bërë deri më tani me rregulloren e re”, vijon tutje komunikata e menaxhmentit.
Lidhur me zbatimin e rekomandimeve, menaxhmenti i RTK-së është zotuar se brenda afatit kohor do të hartohet plani i zbatimit të rekomandimeve, teksa ka bërë të ditur se të paktën 4 nga to, janë duke u zbatuar edhe aktualisht.























