Nikolla pret Van der Linden: Të rishikohet rezoluta për trafikim organesh
BKT
Lajme

Nikolla pret Van der Linden: Të rishikohet rezoluta për trafikim organesh

ATSH

Mbështetja e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kërkesa Shqipërisë për shpalljen si të pazbatueshme të rezolutës që akuzon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për trafikim organesh gjatë kohës së luftës, ishin fokusi i diskutimeve mes kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe presidentit të Nderit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, René van der Linden.

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se kryetarja Nikolla priti sot në një takim presidentin Van der Linden, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë.

Sipas njoftimit, Nikolla vlerësoi kontributin e Van der Linden në drejtimin e Asamblesë Parlamentare të KiE gjatë viteve 2005-2008 dhe qëndrimeve të drejta në kohë të vështira për kontinentin, demokracinë, të drejtat e njeriut, paqen dhe sigurinë.

Nikolla, thuhet në njoftim, vuri në dukje bashkëpunimin shumë të mirë të Kuvendit me Asamblenë Parlamentare të KiE, për konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Kryetarja Nikolla e vuri në dijeni Van der Linden mbi përpjekjet dhe lobimin e deritanishëm të Shqipërisë në mbështetje të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe kërkoi edhe mbështetjen e Van der Linden në këtë proces.

Gjithashtu, Kryetarja Nikolla e vuri në dijeni Van der Linden mbi Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi pazbatueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, përcjellë zyrtarisht Këshillit të Evropës, duke i kërkuar të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), dhe të shpallë të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e fakteve e provave, në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

René van der Linden falënderoi Kryetaren Nikolla për takimin dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare të kësaj organizate, e cila mund të konsiderohet si një “shkollë demokracie” për mbrojtjen e vlerave demokratike, të të drejtave të njeriut dhe të paqes.

Van der Linden vlerësoi arritjet e Shqipërisë në thellimin e reformave, luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit, dhe nënvizoi se këto rezultate kanë mundësuar çeljen e negociatave dhe avancimin drejt BE-së.


MË SHUME NGA Lajme