Strategjia për zhvillim industrial, Hajdari premton mbështetje për bizneset
Arbresha Berisha/RTKlive
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është deklaruar para medieve në lidhje me Strategjinë për zhvillim industrial dhe mbështetje të bizneseve 2030, raporton RTKlive.
Me këtë rast, ajo tha se sektori i prodhimit do të mbështetet në mënyrë që i njëjti të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
“Hartimi i këtij dokumenti shpreh rëndësinë që Republika e Kosovës ka për sektorin e prodhimit. Gjatë hartimit të strategjisë janë konsultuar edhe përfaqësues tjerë, komunat, ekspertët, partnerë ndërkombëtarë të ndryshëm, agjenci ndërkombëtare…Strategjia ofron një kornizë strategjike për politikëbërësit për të lehtësuar zhvillimin e sektorit të prodhimit në republikën tonë. Nga analizat e përgjithshme që kemi bërë kemi kuptuar se sektori i prodhimit nuk është shndërruar në shtytës dominant të zhvillimit ekonomik. Kjo politikë është e përkushtuar për të mbështetur sektorin e prodhimit për të kontribuuar në zhvillimin ekonomik. Deri në vitin 2030 kjo industri do të integrohet globalisht që të prodhojë produkte me vlerë të shtuar të lartë”, tha ajo.
Ndërsa, drejtoresha e Departamentit të Industrisë, Valbona Dushi tha se strategjia është në harmoni me trendet globale.























