Ekipet e kryeqytetit në terren, po i sanojnë dëmet e stuhisë
M.Sh/RTKlive
Ekipet e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Brigadën profesionale të Zjarrfikësve, punëtorët e ndërmarrjes publike komunale "Hortikultura" dhe Policinë e Kosovës, kanë intervenuar në zona të ndryshme të kryeqytetit për të sanuar dëmet e shkaktuara nga stuhia e shiut.
Ky është njoftimi që ka ardhur të dielën mbrëma nga komuna e Prishtinës.
“Punët janë duke vazhduar ende dhe deri tani këto ekipe kanë intervenuar në 13 raste të ndryshme, në pastrimin e rrugëve nga degët dhe pemët e rrëzuara nga stuhia, largimin e kulmeve të dëmtuara e po ashtu kanë larguar ujërat nga oborret e shtëpive të disa qytetarëve. Do të qëndrojmë pranë qytetarëve për t'iu ndihmuar aty ku kanë nevojë. Jemi duke punuar intensivisht që të pastrojmë gjithë zonat e prekura nga shiu i rrëmbyeshëm që ra gjatë ditës”, ka deklaruar Lulzim Fushtica, drejtor për siguri dhe emergjenca në kryeqytet.
Përfaqësuesit e komunës ka ftuar qytetarët që të informojnë për dëmet që mund të kenë pësuar nga stuhia e shiut që përfshiu Prishtinën të shtunën pasdite.
Ndryshe, kryetari i Prishtinës ka falënderuar ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, për shprehjen e gatishmërisë për të na ndihmuar në rast nevoje.
“Pas reshjeve të shiut që kishim sot dhe pas informacioneve që në komunën e Rahovecit dhe Prishtinës mund të jetë rënduar gjendja nga vërshimet, kam telefonuar kryetarin Latifi dhe Rama me të cilët kam biseduar për gjendjen dhe nevojën për t'iu dal në ndihmë. Fatmirësisht gjendja është e qetë dhe nuk ka vërshime të mëdha rrjedhimisht ndërhyrja jonë nuk është e nevojshme sipas kryetarëve të dy komunave. Vërshimet në këto kohë janë bërë të shpeshta dhe gatishmëria jonë është gjithnjë në nivel”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Kujtojmë se një erë e fuqishme dhe shiu i rrëmbyeshëm përfshiu Prishtinën në orët e pasdites, duke shkaktuar tollovi në komunikacion dhe dëme të konsiderueshme. Si pasojë e shiut, në lagjen “Bregu i Diellit” një kulmi i njërës prej objekteve ka rënë mbi veturat e parkuara, duke i dëmtuar ato.























