Gratë ende me përqindje të ulët të bashkëpronësisë në biznes
Majlinda Doda / Radio Kosova
Gruaja në Kosovë ende mbetet bashkëpronarja me përqindjen më të vogël të bizneseve në Kosovë. Kështu thonë përfaqësues të Aleancës Kosovare të Bizneseve.
Por, pavarësisht mbështetjes, ende ekziston një dallim i madh ndërmjet numrit të bizneseve që drejtohen nga burrat dhe atyre që drejtohen nga gratë në Kosovë.
Bizneset e grave kryesisht janë në fushat agrare dhe që shërbejnë për prodhim vendor, për eksport, shërbime e duke zhvilluar tregtinë vendore. Rreth 5 për qind të bizneseve në Kosovë, janë nën udhëheqjen e grave.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, duke folur për Radio Kosovën thotë se diaspora e vendit është një mundësi e madhe për fuqizmimin e grave dhe zhvillimin e biznesit të tyre.
“Rreth 5 për qind të bizneseve në Kosovës, janë nën udhëheqjen e grave. Dikur ka qenë në proporcion 100%, sot është gjendja shumë më mirë, gra të suksesshme, biznese të suksesshme po shërbejnë edhe për prodhim të vendit më të mirë, eksport e shërbime të ndryshme duke përfshirë këtu tregtinë. Andaj ne duhet t’i mbështesim në fuqizimin e tyre dhe këtu diapsora jonë është një mundësi e madhe që të blejnë produktet e tyre”, ka thënë Shahini për Radio Kosovën.
Ndërsa, organizata GERMIN, ka promovuar punën e grave në sektorin e ushqimit, tekonologjisë dhe informacionit të komunikimit, dhe përvojën që u është dhënë nga diaspora. Sihana Bejtullahu nga kjo organizatë ka thënë se vetëm 23 mijë biznese janë nën udhëheqjen e grave.
“Pavarësisht përpjekjeve dhe nismave të vazhdueshme për barazi dhe përfshirje të plotë, përfaqësimi i grave në sfera të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe ekonominë, por edhe në proceset vendimmarrëse mbetet i ulet në Kosovë. Marrëdheniet ne mës të diapsorës dhe atdheut janë të dy anshme ku të dyja palët kanë shumë për të shkëmbyer, për të fituar e punuar së bashku. Diapsora jonë posedon një mori aftësish e njohurish që mund të vihen në funksion të zhvillimit të vendit”, u shpreh Bejtullahu.
Ditë më parë, edhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, ka potencuar se është e nevojshme të krijohet një mjedis për gratë në pjesëmarrjen e tyre në lidership dhe në ekonomi.
Rëndësia e ndërmarrësisë së grave është evidente për vetë komunitetin e biznesit, por edhe më shumë për ekonominë e Kosovës. Për të realizuar potencialin e rritjes ekonomike, gratë duhet të luajnë një rol më aktiv në ekonomi, qoftë si ndërmarrëse apo si punëtore.























