Opera e Kosovës në përgatitje të shfaqjes së radhës, vjen me operë komike
Medina Pasoma / RTK
Opera e Kosovës është në përgatitje finale të shfaqjes së radhës. Kësaj radhe në bashkëpunim me degën e artit muzikor në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës do të sjellin një operë komike.
“Lo Speziale” apo në shqip “Farmacisti” është operë në tri akte nga Joseph Haydn, e cila do të jepet më 5, 6 dhe 7 korrik në Teatrin Oda. Shfaqja do të dirigjohet nga mjeshtri britanik Chris McCraken.
“Lo Speziale është opera e dytë e Haydn-it, e shfaqur për herë të parë në shtator të vitit 1768 për hapjen e shtëpisë së re të operës në Eszterháza (Hungari). Libreti është shkruar nga Carlo Goldoni dhe paraqet një skenar zbavitës. Është një trinom dashurie në mes 4 personazheve”, thuhet në njoftimin e Operës së Kosovës.
Performuesit do të jenë studentët e UP-së, gjegjësisht klasa e profesoreshës Besa Llugiqi, si Harris Bajraktari - bariton në rolin e Sempronios, sopranot Elvira Mazhiqi, Urta Haziraj dhe Aurela Krasniqi në rolin e Griletës, Rizah Jahaj – tenor në rolin e Mengones dhe mexosopranot Dija Sadiku, Andra Rexhepi në rolin e Volpinos.
Ky projekt është pjesë e kalendarit të aktiviteteve në kuadër të Universitetit Veror 2023 dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ORCA dhe Radio Televizioni i Kosovës.























